Grenell shpreson se Kosova dhe Serbia do të takohen së shpejti

Prishtinë | 09 Tet 2019 | 16:15 | Nga Ekonomia Online

Presidenti Hashim Thaçi e ka takuar ambasadorin Richard Grenell, Përfaqësues Special i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për Marrëveshjen e Paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Pas takimit nuk ka pasur prononcime për media, por më pas Presidenca e ka lëshuar një komunikatë për media.

Aty thuhet se Përfaqësuesi Special i Presidentit të SHBA-së ka thënë se shpreson se Kosova dhe Serbia do të takohen së shpejti dhe do të gjejnë një zgjidhje.

Grenell ka theksuar se një marrëveshje ndërmjet dy shteteve do të vë themelin për rritje ekonomike dhe do të kontribuojë për mirëqenien e gjithë qytetarëve.

Në këtë takim u tha se Marrëveshja e Paqes në mes Kosovës dhe Serbisë do t’i kontribuonte zhvillimit të Kosovës dhe tërë rajonit.

Thaçi e ka falënderuar ambasadorin Grenell për mbështetjen që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë Kosovës në të gjitha periudhat.

“Që nga viti 2008, nuk ka pasur kaq vëmendje të SHBA-së për Kosovën”, ka deklaruar Thaçi duke shtuar se “kjo shton konfidencën dhe besimin tonë në kërkimin e Marrëveshjes së Paqes me Serbinë”.

I pari i vendit ka thënë se Kosova do të jetë konstruktive në gjetjen e një zgjedhjeje e cila do t’i hapë rrugë zhvillimit, ndërsa ka shtuar se “pjesëmarrja aktive e SHBA-së në gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jetë përcaktuese”.


Të ngjashme