Departamenti i Policisë të Santorinit, ka formuluar një material gjyqësor për prishjen e qetësisë publike gjatë një incidenti që ka ndodhur në fshatin Emporio të ishullit grek, kur një grup njerëzish, sipas policisë, ka shkaktuar tension për faktin se një nxënëse me origjinë shqiptare do të mbante flamurin në paradën me rastin e festës kombëtare të Greqisë, transmeton TCH.
Pak minuta para se të niste parada me rastin e 28 tetorit, Ditës së Luftës Kundër Fashistëve, një grup prej 20 personash, anëtarë të Agimit të Artë, disa prej të cilëve kishin veshur bluza të zeza në të cilat shkruhej “Hellas Ultras” u përpoqën ta ndalonin.
Megjithëse nxënësja ishte zgjedhur sipas ligjit grek për të mbajtur flamurin sepse kishte rezultate të shkëlqyera në mësime, ata duke hedhur parulla nacionaliste kanë krijuar tension dhe prindërit e frikësuar se mos situata degjeneronte në dhunë kanë marrë fëmijët dhe si rezultat parada është anuluar.
Ndërsa në ditët në vazhdim do të shihet nëse do të ketë një proces gjyqësor për këtë incident, të gjitha partitë politike greke kanë dënuar këtë ngjarje.
“Idetë kriminale të AA nuk kanë vend në shoqërinë greke”, thekson në deklaratën për shtyp partia qeveritare SYRIZA. Konservatoret e Demokracisë se Re kanë dënuar ngjarjen dhe kanë kërkuar nga qeveria të shmangë aktet e paligjshme.
Ndërsa Partia Komuniste greke ka deklaruar se “Akti i turpshëm i AA për të ndaluar 11 vjeçaren shqiptare të mos mbajë flamurin grek si dhe deklarata e tyre se grekët nuk luftuan fashizmin dhe nazizmin, por vetëm ushtrinë italiane, tregon fytyrën e tyre të vërtetë naziste”.