Ngjarjet e fundit në rajon, situata në Maqedoni dhe deklaratat për bashkimin e mundshëm të Shqipërisë me Kosovën, ka ngjallë debat edhe në Athinë. Një prej gazetave kryesore greke, “Idisis” i ka kushtuar ballinën e të kësaj teme, me titull “Shqetësim madh nga Shqipëria e madhe”.
Sipas gazetës greke, është vetëm çështje kohe shpërthimi i konfliktit ndëretnik në Maqedoni, e cila në mënyrë të pashmangshme do të qojë vendin në ndarje. Sipas analistëve grek, ky zhvillim shënon hapin e parë që të bëhet realitet “ëndrra e ithtarëve të “Shqipërisë së Madhe” në Tiranë, por edhe në Prishtinë e Ankara, transmeton Klan Kosova.
E përditshmja athinase ‘’Idisis” citon burime diplomatike greke, por edhe europiane, sipas të cilave, krahas inicimit të Shqipërisë së Madhe, do të fillojnë përpjekjet edhe për “Bullgarinë e Madhe”.
Athina insiston të mos ndryshohen kufijt, duke cituar kështu edhe një deklaratë të ditëve të fundit, të ministrit të jashtëm, Nikos Kotzias.
“Kërkohet respekt i madh ndaj kufijve. Greqia është në mënyrë të qëndrueshme në favor të stabilitetit të rajonit”.
Sipas shtypit grek, zhvillimet e fundit në rajon dhe shqetësimet e Athinës janë diskutuar edhe në një takim midis kryeministrit Aleksis Tsipras dhe kancelares gjermane, Angela Merkel.