Erërat e forta të parashikuara për të dielën pritet të vështirësojnë betejën e zjarrfikësve për lokalizuar një zjarr jashtë kontrolli në ishullin grek Rodos, ku rreth 30.000 njerëz janë detyruar të evakuohen.Ishulli i Rodosit është njëri prej vendeve më të popullarizuara turistike në Greqi, veçanërisht në mesin e pushuesve britanikë, gjermanë dhe francezë, shumë prej të cilëve tani po largohen me shpejtësi nga rruga e flakëve.
Teksa Greqia është goditur nga një valë e të nxehtit ekstrem, flakët po shkaktojnë dëme që gati një javë në ishullin e saj.Autoritetet kanë paralajmëruar se beteja për ta kontrolluar zjarrin, në mes të sezonit turistik, do të zgjasë disa ditë, raporton AFP.
Zëdhënësi i departamentit të zjarrfikësve, Vassilis Vathrakoyiannis, ka paralajmëruar se erërat pritet të bëhen “më të forta” gjatë së dielës, duke rritur flakët.Zyrtarët lokalë në Rodos kanë thënë të shtunën se kanë zhvendosur 30.000 persona të kërcënuar nga zjarret e egra drejt vendeve të sigurta – përfshirë mbi 2.500 që është dashur të largohen me tragete nga plazhet.
Vitin e kaluar, Rodosi, që ka popullsi prej mbi 100.000 banorësh, ka pritur mbi 2.5 milionë turistë.Zjarret kanë arritur fshatin Laerma gjatë natës, duke kapluar shtëpi dhe një kishë, përderisa shumë hotele janë dëmtuar nga flakët që kanë arritur në breg.
Turistët dhe disa vendës kanë kaluar natën në palestra, shkolla dhe qendra konferencash në hotele në ishull, teksa zjarrfikësit kanë luftuar me zjarret.“Është situatë e paprecedentë për ishullin”, ka thënë Panagiotis Dimelis, kryetar i këshillit të fshatit Arkangelos, në një prononcim për Skai TV, duke shtuar se shumë banorë kanë nxituar t’i shpëtojnë turistët.
Në Athinë, ministria e Jashtme ka thënë se ka ngritur një njësit për menaxhim krize për të lehtësuar evakuimin e qytetarëve të huaj në Greqi, për shkak të zjarreve të vazhdueshme pyjore.
Një pjesë e madhe e ishullit të Rodosit ka qenë pa energji elektrike, teksa furnizuesi me rrymë, PPC, ka ndërprerë punën e termocentralit lokal në jug, për arsye sigurie.
Më shumë se 200 zjarrfikësit kanë luftuar me zjarret gjatë natës, përderisa mbështetja ajrore ka nisur punën që në orët e hershme të së dielës.