Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, i ka bërë thirrje NATO-s, që të shtojë numrin e patrullimeve detare në Egje, pasi Turqia ka kërcënuar se do të lejojë një fluks të ri të emigrantëve që të shkojnë në Greqi.
“Unë i kam kërkuar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, që anëtarët e Aleancës, të forcojnë praninë e tyre me më shumë anije në Detin Egje. Ne po kërkojmë që misioni të shtrihet në jug, në mënyrë që ata të mund të mbulojnë plotësisht kufijtë detarë”, ka thënë Mitsotakisi pas një bisede me Stoltenbergun.
Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, ka thënë se më 10 tetor se Ankaraja do të dërgonte 3.6 milionë refugjatë sirianë nga Turqia në Evropë, nëse shtetet evropiane e konsiderojnë operacionin ushtarak turk në Siri si okupim.
Zyrtarisht ka rreth 70 mijë emigrantë dhe refugjatë në Greqi. Numri i tyre po shtohet çdo ditë, gjë që bën presion shtesë në kampet e mbipopulluara në ishujt grek.
NATO-ja aktualisht ka gjashtë anije patrullimi në Detin Egje që monitorojnë lëvizjet e anijeve migruese në hyrje dhe, përveç Agjencisë Kufitare Evropiane (Frontex), i informojnë edhe Rojet Bregdetare të Greqisë dhe Turqisë.
Stoltenbergu ka rikujtuar se ai tashmë u ka bërë thirrje vendeve aleate të NATO-s, që të sigurojnë anije shtesë, por që angazhimet shtesë kërkojnë konsensusin e të gjithë anëtarëve të NATO-s.