Mekanizmi i Stabilitetit Europian ka miratuar pasditen e së premtes këstin e radhës për Greqinë, me vlerë prej 8.5 miliardë euro.
Disbursimi i 7.7 miliardë eurove do të kryhet të hënën që vjen, ndërsa pjesa e mbetur prej 800 milionë eurosh do të disbursohet pas 1 shtatorit, me kushtin që Greqia të përfundojë sa më shpejt shlyerjen e borxheve.
Me këtë këst, shuma e parave që Mekanizmi Evropian i ka dhënë Greqisë – nga paketa e tretë e ndihmës prej 86 miliardë euro – shkon në 39.4 miliardë, ndërsa bashkë me paratë e dhëna edhe nga Fondi Evropian Financiar i Stabilitetit, kjo shumë shkon në 181.2 mld euro.
Vlen të përmendet se brenda disa ditëve, 6.9 miliardë euro nga paratë e këstit do të shkojnë për pagesat e borxheve të jashtme të Greqisë, ndërsa pjesa tjetër për detyrimet që u ka shteti subjekteve private.
Në një deklaratë të fundit në Twitter, Komisioneri Europian për Çështjet Ekonomike, Pierre Moskovici e ka cilësuar vendimin si një “sinjal të fortë të shpresës”, duke theksuar se “kjo ndihmë është njohje e përpjekjeve të mëdha që po vazhdon të bëjë popullit grek për të stabilizuar ekonominë”.
Ndërkohë, edhe presidenti i Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem ka nënvizuar po në rrjetin social se, ky është një hap tjetër i rëndësishëm i Greqisë, si rezultat i përpjekjeve të përbashkëta.
Lëvrimi i këstit, pas përfundimit të programit për Greqinë, vjen në një moment kur sipas Institutit Kombëtar të Statistikave, papunësia në Greqi vazhdon të bjerë përsëri, duke shkuar në 21.7%, 5 pikë më pak sesa kulmi i krizës ekonomike, por mbetet ende dy herë më shumë sesa mesatarja e BE-së.