Për pak qytetarët grekë menduan se gjithçka po i rikthehej normalitetit dhe festat e fundvitit do të ishin ndryshe. Por varianti Omicron shoi të gjitha shpresat, pasi qeveria greke ka vendosur të anullojë planet për festimet publike.
Mbajtja e maskave do të jetë e detyrueshme në fuqi nga mëngjesi i së premtes. Ministri i Shëndetësisë, Thanos Plevris tha se priten masa shtesë për Vitin e Ri, kryesisht në ngjarje argëtuese dhe sportive, për të shmangur një tjetër bllokim.
“Ne po monitorojmë vazhdimisht rastet për të parë nëse pas variantit Delta ka një përhapje të Omicron”, tha ai në një konferencë për shtyp.
Greqia, e cila doli nga vala e parë e pandemisë vitin e kaluar në një gjendje relativisht më të mirë se disa vende të tjera evropiane, është përballur me një rritje të rasteve në muajt e fundit.
Më herët OBSH u bëri thirrje njerëzve që të anulojnë disa nga ngjarjet festive për të mbrojtur shëndetin publik pasi varianti Omicron po përhapet globalisht.