Greqia planifikon të presë turistë gjatë kësaj vere

Prishtinë | 29 Pri 2020 | 09:40 | Nga Ekonomia Online

Ministri grek i turizmit, Harry Theocharis, ka thënë se turistët do të jenë të mirëseardhur për ta vizituar Greqinë këtë verë, por ata duhet t’i respektojnë rregullat e distancimit fizik për t’u mbrojtur nga Coronavirusi.

“Ne duam që njerëzit të vijnë në Greqi. Natyrisht, ne do të marrim masa parandaluese sa u përket kërkesave para udhëtimit, por edhe për mënyrën e udhëtimit dhe mënyrën e qëndrimit. Do të vlejnë rregullat për distancim social”, tha ai për Radio BBC.

Ministri Theocharis tha se Greqia i ka mirëpritur turistët për më shumë se pesëdhjetë vjet dhe se dëshiron të vazhdojë ta shfaqë mikëpritjen për të cilën është e njohur, shkruan “CNN”, transmeton Gazeta Express.

Ai shtoi se turistët duhet të ndihen të sigurt në Greqi, sepse shteti do të marrë masa të rrepta për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. “Greqia është një vend i sigurt dhe në shumë raste shumë më i sigurt se vendi juaj, më vjen keq ta them këtë”, i tha ai transmetuesit publik britanik.

Theocharis gjithashtu tha se shpreson që teknologjia shëndetësore do të jetë edhe më e përparuar në kohën kur të fillojë sezoni veror në mënyrë që të mundësohen udhëtime më të sigurta për turistët.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme