Greqia rihap vendet turistike

Prishtinë | 18 Maj 2020 | 15:47 | Nga Ekonomia Online

Greqia ka rihapur Akropolin, muzetë dhe atraksionet tjera të mëdha turistike ndërsa po vazhdon zbutja e masave kufizuese që ishin vendosur për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Kufizimet e karantinës gradualisht po largohen, qasja në plazhe është lejuar të shtunën dhe kishat kanë mirëpritur besimtarët të dielën.

“Unë e kam vizituar Akropolin sot, një monument botëror që vazhdon të inspirojë me shkëlqimin nën diell”, ka thënë presidentja e Greqisë, Katerina Sakellaropoulou, ndërsa ka ecur në një prej vendeve turistike më të vizituara në botë.

Punëtorët duke mbajtur maska dhe mbrojtëse plastike në fytyrë ishin në zonë për të informuar ata pak turistë të huaj për rregullat e distancës fizike, ku është kërkuar nga vizitorët që të mbajnë distancë 1.5 metra mes vete.

Greqia, që ka regjistruar 2834 të infektuar me koronavirus dhe 163 të vdekur, ka nisur të zbusë masat kufizuese nga 4 maji.

Ministrja e Kulturës, Lina Mendoni, ka thënë se qeveria ka dashur të hapë vendet arkeologjike që janë të sigurta për njerëzit që t’i vizitojnë.

“Greqia ka fituar kredibilitet me mënyrën se si e ka menaxhuar krizën e koronavirusit. Është një arritje e vlefshme që do të na lejojë ne hapjen dinamike të sezonit turistik”, ka thënë ajo.

Njerëzit do të lejohen të udhëtojnë lirshëm në Greqi dhe në dy ishujt më të mëdhenj të saj, Kretë e Evia, dhe qendrat tregtare e kopshtet zoologjike po ashtu janë rihapur të hënën siç janë rihapur edhe komplekset sportive për personat mbi 13 vjet.

Rregullat e distancës sociale duhet të respektohen dhe rekomandohet mbajtja e maskës, por nuk është e obligueshme me përjashtim në transport publik.

Të ngjashme