Punëtorët e administratës së gjykatave dhe prokurorive të Kosovës, janë të vendosur për ta vazhduar grevën.
Tash e pesë ditë ata janë duke e bojkotuar punën dhe po qëndrojnë në sallat e takimeve nga fillimi i orarit të punës, që nga ora 08:00 e deri në përfundim të tij, në ora 16:00, raporton KTV.
Kërkojnë rritjen e pagave për 100 për qind, e kjo kërkesë e tyre u bë pas vendimit të Qeverisë për rritje të pagave për gjyqtarët e prokurorët.
Kryetari i Këshillit grevist, njëherësh kryetari i Sindikatës së Pavarur të Juridikaturës Asllan Rusinovci, ka deklaruar për “Kohavisionin” se greva vazhdon deri në realizimin e kërkesave të tyre.
Sipas grevistëve në Gjykatën Themelore të Prishtinës, vetëm gjatë së hënës kanë mbetur pa u proceduar 98 lëndë, megjithatë jo të gjitha lëndët kthehen prapa.
Shumë qytetarë, gjatë këtyre ditëve të grevës janë kthyer prapa, duke mos kryer punët e tyre.
Greva e punëtorëve të administratës së gjykatave dhe prokurorive të Kosovës, ka filluar nga 4 korriku me kërkesat për rritje pagash për rreth 2 mijë punëtorët e administratës dhe rregullimin e statusit të tyre.