Janë bërë tashmë një javë që kur mësimdhënësit e Kosovës kanë pezulluar mbajtjen e orëve mësimore.
Greva, e cila u shpall nga Sindikata e Bashkuara për Arsim Shkencë dhe Kulturë me 10 janar të këtij viti, u vendos në shenjë proteste për koeficientin e pagave për punonjësit e arsimit në Projektligjin për Paga, pasi që sipas tyre, ky ligj është diskriminues për të punësuarit në arsim.
Që nga fillimi i saj kryetari i SBAShK, Rrahman Jasharaj kishte filluar vizitën në të gjitha shkollat në vend, për të shprehur përkrahjen e tij për mësimdhënësit. Ai madje u bënte thirrje që të mos dorëzohen pavarësisht presioneve të ndryshme.
Në mënyrë që të arrihet një konsesues për këtë grevë u mblodh edhe komisioni parlamentar për Arsim, por se as aty nuk u gjet një gjuhë e përbashkët që të ndërpritet ajo.
Në bazë të këtij projektligji mësimdhënësit e shkollës së mesme kanë koeficientin 2.30 dhe paga e tyre do të jetë 513,85 euro, kurse për ata fillorë koeficienti është 2.0 dhe paga e tyre do të jetë 478 euro.
Përfaqësues të SBAShK-ut vazhdojnë të deklarojnë se greva do të ndërpritet vetëm me përmbushjen e kërkesave të tyre, e nga MAShT-i thonë se janë duke zhvilluar takime që të arrihet një konsensues për ndërpreje të saj.
Por për ekspertët e arsimit, greva e mësimdhënësve është pasojë e premtimeve të bëra gjatë zgjedhjeve, derisa Këshilli i Prindërve të Kosovës thotë se me këtë po dëmtohen fëmijët.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, Rrahman Jasharaj tha për Gazetën Jeta në Kosovë se greva nuk do të ndërpritet as të hënën e javës së ardhshme dhe do të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.
“Greva nuk do të ndalet të hënën, ministri duhet të angazhohet bashkë me ne që të gjejmë zgjidhje dhe të realizohet kërkesa legjitime e SBASHK-ut, për ngritje së paku 30% të koeficientit për të gjitha nivelet në arsim. Ministri duhet ta dijë që grevën nuk e ka shpallur ai dhe nuk ka të drejtë ta mbyllë ai. I vetmi organ që vendos për grevën është Këshilli Drejtues i yni dhe vetëm me përmbushjen e kërkesave mbyllet ajo”, tha Jasharaj.
Ndërsa, zëdhënësi i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Valmir Gashi tha se janë duke zhvilluar takime me SBAShK-un, por se ende nuk ka konsensuse për ndërprerjen e saj.
“Ne jemi në takime të vazhdueshme me SBAShK-un, madje edhe sot kemi zhvilluar takime, në mënyrë që të arrihet një zgjidhje për ndërprerjen e grevës, por deri më tani nuk ka asnjë datë konkrete se kur do të ndërpritet, por takimet do të vazhdojnë deri në arritjen e marrëveshjes”, tha Gashi.
Këshilli i Prindërve të Kosovës: Fëmijët po dëmtohen nga këto greva
Kurse, Ymet Reshiti nga Këshilli i Prindërve të Kosovës tha se greva e mësimdhënësve është veprim i ngutshëm dhe se prej saj po dëmtohen nxënësit.
“Ne e kemi vlerësuar grevën si veprim të ngutshëm dhe kjo është shumë e dëmshme për shkak se është penalizuar i gjithë procesi mësimor në Kosovë. Ne e mbështesim kërkesën e tyre për rritjen e koeficientit por konsiderojmë që duhet SBAShK-u ta rishqyrtojë edhe një herë grevën si masë që e ka marrë, sepse nuk kemi të bëjmë me mos marrje të pagave, por kemi të bëjmë me një rritje të pagave, por shpresojmë që të gjendet një zgjidhje sepse po dëmtohen nxënësit”, tha Reshiti.
Kurteshi: Nivelizimi i pagave të mësimdhënësve, i padrejtë
Se nivelizimi i pagave për mësimdhënësit në Projektligjin për Paga është i padrejtë, e ka pranuar edhe kryetari i Komisioni për Arsim, Ismajl Kurteshi, por se sipas tij duhet të arrihet konsensusi sa më shpejtë.
“Ne si komision jemi takuar me të dyja palët, edhe me ministrin e Arsimit, Shyqiri Bytyqi edhe me SBAShK-un dhe pas gjithë diskutimit komisioni ka dalë me këtë qëndrim: Ne konsiderojmë që koeficienti apo nivelizimi i mësimdhënësve në projektligjin për paga nuk është adekuat dhe duhet të ndryshojë, mirëpo jemi që sa më parë sindikata dhe ministria të merren vesh sepse greva po shkakton dëme jashtëzakonisht të mëdha tek 400 mijë fëmijë të Kosovës”, tha Kurteshi.
Ekspertët e arsimit: Premtimet elektorale, shkaktari kryesor i grevave
Drejtori i Qendrës për Arsim të Kosovës (KEC), Dukagjin Pupovci thotë se duhet të ketë mirëkuptim për revoltën e mësimdhënësve, pasi sipas tij janë nënçmuar me koeficientin që u është caktuar nga Qeveria.
“Në fakt, mësimdhënësit nuk po kërkojnë rritje page, por po kërkojnë që, përkah koeficienti të jenë të krahasueshëm me profesionet e komplkesitetit dhe kualifikimit të ngjashëm. Sa kam kuptuar unë, ata pajtohen që vlera monetare e koeficientit të zvogëlohet, në mënyrë që pagat të mbeten aq sa janë tani. Por, një zvogëlim i tillë i vlerës momentare të koeficientit, pa dyshim, do të ndikonte në zvogëlimin e pagave tanimë të rritura të zyrtarëve të lartë dhe disa kategorive të cilave u është premtuar rritje page”, tha Pupovci.
Ai shtoi se problemi është se pagat në Kosovë po përdoren si mjet për të fituar pozicione politike.
“Problemi është se pagat në Kosovë po përdoren si mjet për të fituar pozicione politike. Po jepen premtime në kohë fushate, pastaj në kohë të qeverisjes, duke e rritur masën e pagave përtej mundësive të shtetit. Kur të ndalen veprimet e tilla, besoj se edhe reagimet e punonjësve të sektorit publik, ku bëjnë pjesë, mësimdhënësit, do të jenë më të buta”, tha Pupovci.
Ndërsa, Rinor Qehaja nga Instituti EdGuard tha se SBAShK-u nuk duhet të ndërprejë mësimin.
“Greva përkundër që paraqet të drejtë sindikale të mësimdhënësve, përderisa pengon procesin mësimor, si e tillë, nuk mund të jetë e pranueshme. Padrejtësia në shpërndarje të koeficienteve të shërbyesve civil në ligjin për pagat arsyeton reagimin e SBASHK mirëpo, jo ndërprerjen e mësimit. Neglizhenca e institucioneve karshi kërkesave të SBASHK, qysh leximin e parë, ka qenë indikator i situatës që tanimë është krijuar”, tha Qehaja.
Edhe ai si Pupovci shprehi të njëjtin mendim se politika dhe premtimet elektorale kanë sjellë greva të tilla.
“Qasja e politikës e orientuar në klientelizëm dhe premtime elektorale padyshim që do të sjell situata si kjo, ku premtimet tejkalojnë mundësitë reale për ngritje pagash në të gjithë sektorët pa përjashtim. Kam frikën që me kalim të këtij ligji në kuvend, kjo situatë do të shndërrohet nëe betejë politike për përfitime elektorale, sesa në një vullnet të mirëfilltë për zgjidhje të shpejt të problemit”, tha Qehaja.
Projektligji për pagat aktualisht është duke u shqyrtuar në Komisionin për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media në Kuvendin e Kosovës dhe me procedurë të shpejtë pritet të kalojë për miratim në njëren nga seancat e para të Kuvendit.
Ndryshe, projektligji për Paga ka shkaktuar edhe shumë greva të tjera në vend.