Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) është duke mbajtur mbledhjen e radhës ku janë të pranishëm kryetarët e sindikatave të komunave, raporton Ekonomia Online.
Të gjithë një zëri janë në pajtim që të vazhdohet edhe më tej greva deri sa të zbatohen kërkesat e tyre për rritjen e koeficientit për gjithë punëtorët e arsimit, raporton EO.
Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj në fillim të kësaj mbledhje ka treguar se edhe të hënën ka pasur takim me këshilltarët e kryeministrit dhe ministrin e arsimit Shyqyri Bytyqi.
Jasharaj tha se me vendosshmërinë e përfaqësueseve të SBAShK-ut të komunave do të vazhdoj edhe më tej greva sepse oferta është tejet e ulët dhe pret reflektim nga Qeveria.
“Me të drejtë ju thatë njëzëri se oferta e kryeministrit nuk pranohet për dy shkaqe, sepse oferta është tepër e ulët nuk arrin as 10% e koeficienteve dhe kjo ofertë është e papranueshme sepse me gjithë vlerën e ulët janë bërë edhe përjashtime me apo pa arsye të një pjesë të sistemi arsimor duke dëgjuar deklaratat e juaja ne jemi unik bashkë që nga çerdhet, punëtorët teknik ndihmës, mësimdhënësit, stafi administrativ në gjitha nivelet me gjithë stafin akademik e me drejtorin dhe çdo zgjedhje të ofruar do ta analizojmë por ne do kërkojmë që kërkesa të bëhet jo për një pjesë por për të gjithë”, tha Jasharaj, raporton EO.
Jasharaj tha nuk kërkojnë rritje pagash në mënyrë klasike, por duan rritje të koeficientit, sipas tij, meritor për mësimdhënësit.
Kreu i SBAShK-ut pohoi se i mbetet Qeverisë të reflektoj për sa kohë që bëri të ditur se nuk do i ikim takimeve duke pritur nga institucionet të sjellin një ofertë shumë më ndryshe.
“Grevën nuk mund ta mbyllë as ministri e as kryeministri, por njerëzit që e përfaqësojnë arsimin. Ne nuk e zgjodhëm grevën, por na u imponua”, pohoi ai.
Jasharaj tha se buxheti sipas qeveritarëve po rrezikohet vetëm kur mësimdhënësit kërkojnë paga të dinjitetshme, por jo atëherë kur krerët qeveritarë e rrisin pagën e tyre.
“Krahas ofertës për 30% që është minimale e humane ne kemi ofruar edhe dy oferta mund të tërhiqet ligji në fuqi”, tha ai.
Kjo është dita e gjashtë e grevës në arsim, ani pse gjatë të hënës ka pasur sinjale nga disa komuna të vendit që të mos vazhdohet greva më tutje.
Të dielën, kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, premtoi një ngritje pagash për mësimdhënësit me koeficientin 10 për qind, të cilat kostos së shtetit i kushtojnë 20 milion euro në vit.
SBAShK-u po kërkon që punëtorët në arsim të paguhen 30 për qind më shumë.