Punëtorët francezë të hekurudhave janë përleshur me policinë sot në Paris gjatë një proteste të papritur kundër ndryshimeve në sistemin pensional, pavarësisht thirrjes së presidentit Emmanuel Macron për anulimin e grevës gjatë Krishtlindjeve.
Qindra sindikalistë dhe grevistë u mblodhën të hënën pranë një stacioni të madh të trenave, i cili përdoret nga shumë udhëtarë që shkojnë drejt jugut ose qendrave të skijimit në Alpe.
Disa grevistë mbajtën fjalime për t’i dënuar ndryshimet e propozuara nga qeveria në sistemin pensional dhe u zotuan se do ta vazhdojnë grevën edhe gjatë Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri.
Protestat e këtyre punëtorëve filluan para 19 ditëve, duke shkaktuar tollovi dhe pengesa të mëdha në sistemin e transportit publik dhe shërbimet e tij.
Rreth gjysma e udhëtimeve për datat 23 dhe 24 dhjetor janë anuluar për shkak të grevës, ndërsa shumë udhëtarë po kërkojnë zgjidhje të tjera për të shkuar në destinacionet e tyre.
Disa udhëtarë që po përpiqeshin të shkonin në aeroportet afër Parisit u ankuan se patën vështirësi për të gjetur taksi dhe se disa prej tyre i kishin ngritur çmimet, shkruan “The Guardian”, transmeton Express.
Qeveria është duke u përgatitur për një rund të ri të bisedimeve me grevistët, ndërsa protesta e radhës është caktuar për 9 janar të vitit të ardhshëm.