Sulmuesi i Barcelonës, Antoine Griezmann, është shprehur i emocionuar për rinisjen e sezonit 2019/20 në La Liga, mirëpo e ka pranuar se do të jetë e çuditshme të luajë në një Camp Nou të zbrazët.
Liderja e La Ligës do ta rinisë sezonin në La Liga me udhëtimin në Mallorca më 13 qershor, pas pauzës gati tremujore shkaku i koronavirusit, që e kishte detyruar ligën ta pezullojë sezonin në mars.
E përkundër që futbolli do të rinisë në Spanjë, ndeshjet do të kthehen më ndryshe pasi që tifozët s’do të lejohen brenda në stadiume. Francezi Griezmann shprehet i sigurt se ndeshjet prapa dyerve të mbyllura do të jenë të çuditshme.
“Ndeshja e parë do të jetë në Mallorca, por do të jetë tejet e çuditshme të luajmë pa tifozë të pranishëm. Do të jetë hera e parë që do të përjetojë diçka të tillë”, ka thënë Griezmann.
Me edhe 11 ndeshje të mbetura deri në fund të sezonit në La Liga, Barcelona mban epërsi prej dy pikësh ndaj rivalit Real Madridit, që radhitet në pozitën e dytë në tabelë.
Griezmann, i cili i shënoi 14 gola në 37 ndeshjet e zhvilluara me katalonasit këtë sezon, thotë se ai e shfrytëzoi pauzën tremujore për të kaluar sa më shumë kohë me familjen e tij.
“Unë kurrë nuk kam pushuar kaq gjatë. Po, është e vërtetë se këto ditë kam pasur më shumë mundësi t’i shijoj fëmijët e mi”, shtoi Griezmann.
Që nga transferimi i tij në Camp Nou nga Atletico Madridit, francezi është kritikuar shpeshherë për paraqitjet e tij, mirëpo ai synon ta dëshmojë veten duke i ndihmuar Barcelonës ta mbyllë sezonin me suksese të shumta.