E ardhmja e yllit të Atletico Madridit është vënë në dyshim përsëri dhe ai e pranon që është lodhur nga spekulimet e vazhdueshme për karrierën e tij.
Antoine Griezmann ka bërë të ditur se është i lodhur nga spekulimet e vazhdueshme për një transferim të tij në Barcelona, gjatë afatit kalimtar të verës.
Fituesi i Kupës së Botës tentoi t’i japë fund spekulimeve për të ardhmen e tij verën e kaluar, kur nënshkroi kontratë të re me Atletico, duke e zbuluar dëshirën e tij për të qëndruar në klubin madrilen përmes një dokumentari.
Megjithatë, përkundër rinovimit të kontratës, mediat spanjolle raportojnë se ylli francez mund të përfundojë në Barcelonë gjithsesi, pasi që Atletico ka mbetur 10 pikë larg katalonasve në garën për titullin e La Ligës.
Griezmann shënoi në fitoren me rezultat 4:0 të skuadrës së tij, në ndeshjen kualifikuese për EURO 2020 kundër Islandës, megjithatë nuk arriti t’i shmanget pyetjeve për të ardhmen e tij.
“Jam mësuar tashmë me këto gjëra dhe jam lodhur me to. Çdo vit janë të njëjtat gjëra, kështu që unë jam mësuar me to”, tha Griezmann për Univision kur u pyet për spekulimet për transferimin në Barcelonë.
Atletico Madridi do të përballet me Barcelonën muajin e ardhshëm, por mundësinë e tyre për ta fituar titullin e kampionit të La Ligës këtë sezon duken mjaft të vogla.
Griezmann ka mbetur edhe më i zhgënjyer nga dështimi i skuadrës së tij në Ligën e Kampionëve, kur madrilenët e shpërdoruan fitoren me rezultat 2:0 në ndeshjen e parë kundër Juventusit. Ata u eliminuan pasi e humbën ndeshjen kthyese me rezultat 3:1.