Pasi arriti të mbante Portugalinë pa shënuar për 84 minuta, Hungaria tani ka arritur t’i marrë një pikë kampionit aktual të botës, Francës.
Ndeshja e zhvilluar në “Puskas Arena” me stadiumin plot tifozë u mbyll me rezultat të barabartë 1:1, shkruan Gazeta Express.
Pak pa përfunduar pjesa e parë, Hungaria arriti të kalonte në epërsi. Ishte Fiola i cili shënoi golin e parë të Hungarisë këtë Evropian në minutën e 45+2, duke çuar në këmbë mbi 60 mijë tifozët e mbledhur në “Puskas Arena”.
Në minutën e 66-të, Antoine Griezmann arriti të barazonte rezultatin, por kjo ishte krejt çfarë arriti të bënte Franca në këtë takim.
Pas ndeshjes, Griezmann iu gëzua kësaj pike të fituar dhe golit të shënuar po ashtu.
“Një lojë e vështirë por ne marrim një pikë të rëndësishme. Aventura vazhdon” – shkroi Griezmann në profilin e tij në Facebook.
Me këtë barazim, Franca merr përkohësisht primatin në grupin F me katër pikë, ndërsa Hungaria del e treta me një pikë. Ndeshja tjetër e këtij grupi mes Portugalisë dhe Gjermanisë zhvillohet sonte nga ora 18:00.