Brazili ka shpallur një emergjencë gjashtëmujore për shëndetin e kafshëve pasi u gjetën disa raste të gripit të shpendëve te shpendët e egra.
Shtatë raste janë raportuar në shtetin Espirito Santo, dhe një tjetër në Rio de Zhaneiro.
Deklarata e emergjencës e bën më të lehtë për qeverinë që tani të marrë masa për të ndaluar përhapjen e virusit shumë infektiv H5N1.
Brazili është eksportuesi më i madh në botë i mishit të pulës, me shitje vjetore prej afro 10 miliardë dollarë.
Autoritetet thonë se rastet u gjetën shumë larg nga zonat kryesore të kompanive të Brazilit në jug të vendit.
Emergjenca shtetërore është shpallur në të gjithë vendin që do të zgjasë për 180 ditë.
Nga tetori i vitit 2021, shumë shpendë janë duke ngordhur si pasojë përhapjes së madhe të gripit H5N1, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.
Shkencëtarët mbeten të pasigurt pse ky shpërthim po rezulton shumë më i keq se të tjerët, por Organizata Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH) ka raportuar për “ndikime shkatërruese në shëndetin dhe mirëqenien e kafshëve”.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) thotë se përhapja e mëtejshme e virusit H5N1 do të duhet të monitorohet nga afër për të parë nëse ai po ndryshon në një formë që mund të përhapet te njerëzit.