Gripi prek “Dardanët”: Pos Muriqit të lënduar, ndaj Zvicrës mungojnë Rashica, Krasniqi e Muriç

Prishtinë | 18 Nën 2023 | 16:00 | Nga Ekonomia Online

Federata e Futbollit të Kosovës ka bërë të ditur se tre futbollistë të rëndësishëm do të mungojnë kundër Zvicrës që do të luhet sot.

FFK-ja tha se për shkak të lëndimeve dhe gjendje me grip, futbollistët Milot Rashica, Ermal Krasniqi dhe protieri Arijanet Muriç nuk do të jenë në dispozicion të trajnerit Primozh Gliha.

“Milot Rashica është lënduar në fund të stërvitjes së djeshme dhe pas ekzaminimeve mjekësore është konstatuar se ai nuk do të jetë në gjendje të luajë në ndeshjet kualifikuese kundër Zvicrës dhe Bjellorusisë”.

“Ndërsa Ermal Krasniqi, i cili u lëndua disa ditë më herët, përkundër përkushtimit maksimal të tij dhe stafit mjekësor nuk është në gjendje për të luajtur në ndeshjen e sotme, por po bëhet përpjekje për ta riaftësuar për lojë për sfidën e ardhshme me Bjellorusinë”, thuhet në njoftimin e FFK-së, transmeton Klankosova.tv.

Ndërsa, sipas federatës, Muriç po përballet me një gjendje gripale e cila ka bërë që ai të mos jetë në gjendje të përfshihet as në stërvitjen e fundit, e si rrjedhojë do të mungojë edhe në ndeshjen e sotme.

“Përkundër këtyre mungesave të mëdha, në kampin e Dardanëve ekziston një motiv i lartë për paraqitje dinjitoze në ‘St. Jakob-Park’. Le ta mbështesim Kombëtaren dhe të shpresojmë në rezultat pozitiv”, tha FFK-ja.

Kujtojmë se përveç Rashicës, Krasniqit e Muriç, Kosova në përballjen kundër Zvicrës e cila do të luhet sonte nga ora 20:45 nuk do të mund të llogarisë as në sulmuesin Vedat Muriqi, i cili po ashtu u lëndua.

Të ngjashme