Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), në Prishtinë, ka disa javë që numri i qytetarëve të prekur nga gripi sezonal është në rritje.
Derisa disa nga qytetarët i thanë Gazetës InLajmi se ky grip po zgjat shumë ditë dhe me simptoma të rënda, disa të tjerë thanë se po e kalojnë më lehtë.
“Mendoj se është grip i zakonshëm nuk është më i rëndë, edhe pse mund të them se po zgjat disa ditë. Unë diku 3 ditë kam pasur rrjedhje hundësh,temperaturë e dhimbje trupi, tash erdha te mjeku për kollë. Më tha me pi disa tableta për fyt”,tha për Gazetën InLajmi, qytetarja Edita Zeka.
Edhe 10-vjeçarja Jora Ukaj, tregon se për çfarë simptoma ka ardhur sot te mjeku.
“Kam kollë, diku që 10 ditë s’mu ka ndalë hiq. Nuk e kam dikë në shtëpi që është i sëmurë, por ndoshta në shkollë e kam marrë këtë grip. Besoj se tash masi mjeku mi përshkruajti një sprej edhe një shurup për kollë më kalon. Por, po ka shumë raste që po e kanë ma të të vështirë me këtë grip”,tha ajo.
E në anën tjetër, mjekja familjare në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), Florie Hyseni -Morina për Gazetën InLajmi njoftoi se në 2 javët e fundit është rritur dukshëm numri i pacientëve sa i përket virozave stinore, me simptoma të lehta, e në raste të rralla me simptoma më të rënda.
“Simptomat e gripit janë temperaturë e lartë, kollitje, djegie e gjoksit. Tek disa persona këto simptoma zgjasin më pak ditë e tek disa më shumë. Ky grip sezonal mund t’i prekë krejt moshat, por po e theksoj se moshat prej 6-16 vjeç janë më të prekura, po e quajmë si mosha shkollore. Pastaj grupe si të rrezikuara, gjegjësisht që mund të preken më lehtë janë moshat e shtyera, shtatzënat, ata që vuajnë nga sëmundjet kronike”, ka sqaruar për InLajmin Hyseni-Morina.
Tutje, mjekja, Hyseni –Morina, njoftoi për terapinë që po u sugjerohet pacientëve me grip.
“Për këtë grip po u përshkruajmë analgjetikë kundër dhimbjes, temperaturës, barna lehtësuese për kollë, që e zbut sekretin nga rrugët e frymëmarrjes, apo edhe terapi inhalatore. Po ashtu terapi vitaminoze. Ky grip kalohet lehtë, po e ritheksojë pa komplikime, raste shumë të rralla mund të ndodhë të ketë komplikime. E antibiotikë nuk i sugjerojmë, përveç në rastet kur gjendja është më e rënduar”,tha tutje ajo.
Hyseni-Morina, ka bërë apel që të gjithë personat që janë të ndjeshëm, ata me sëmundje kronike të vaksinohen. Po ashtu tha ajo, personat që janë me grip, duhet të mbajnë distancën, të mos shkojnë në punë, shkollë, pra ta ruajnë rrethin pasi që ky grip sikurse gjithë gripërat tjerë është ngjitës.
E pyetur se derisa simptomat e këtij gripi janë gati si të koronavirusit, a keni pas raste që pas dyshimeve ndonjë nga qytetarët ka dalë pozitiv, ajo dha këtë përgjigje.
“Normalisht se pasi që pyesim se a ka pas kontakt me dikë që ka pas Covid-19, pastaj duke e shikuar gjendjen dhe simptomat atëherë edhe e sugjerojmë të bëjë një test për ta vërtetuar por që nuk ka ndodhë. Kjo po vërtetohet pasi që rastet me koronavirus fatmirësisht janë të ulëta,tha tutje ajo.
Për këtë grip sezonal që ka prekur edhe fëmijët në masë të madhe, e po ashtu edhe për një virus tjetër që quhet MHF, pra kur fëmijëve u dalin puçrra në gojë, duar e këmbë, ka folur për Gazetën InLajmi, edhe Visare Gjikolli, pediatre në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKFM).
“Pak javë më parë ka qenë e theksuar kjo viroza MHF (Mouth-Hand-Foot) por që tash fatmirësisht te ne është qetësuar pak gjendja. Kjo virozë ka qenë kaherë e theksuar , pra në këto kohë. Ka një muaj është përhapur me të madhe gripi sezonal. Mund të theksoj se me një kujdestari që e kemi ne, numri i fëmijëve që kërkojnë ndihmë mjekësore, me simptoma të gripit, temperaturë, barkqitje, bronhiolite, kollitje e madhe, ka shkuar deri në 300 fëmijë. Numër ky mjaftë i madh. Por, nuk është për tu shqetësuar, me terapinë vitaminoze, inhalime kur është e nevojshme po kalohet”,tha pediatrja Gjikolli.
Edhe në Qendrën e Mjekësisë Familjare numër 10 në kryeqytet, ka 2 javë që ka shumë pacientë që kërkojnë ndihmë mjekësore për shkak të gripit sezonal.
“Në fakt në qendrat e vogla të mjekësisë familjare mendoj se ka më shumë pacientë. Jemi 2 mjeke në një ndërrim dhe mund të themi se për një ndërrim po kemi rreth 100 pacientë. Pacientët me grip sezonal vinë me simptoma kryesisht të njëjta: temepraturë, ethe, dhimbje fyti, dhimbje nyjesh, kokëdhembje, po ashtu vjellje dhe barkëqitje. Fëmijët po e kalojnë më lehtë, por simptomat i kanë të njëjta. Derisa janë pothuajse të njëjta simptomat edhe te koronavirusit, kemi pas në disa raste dyshime për këtë dhe i kemi sugjeruar pacientët ta bëjnë testin por fatmirësisht kanë dalë negativ”,njoftoi për Gazetën InLajmi, mjekja nga QMF numër 10, Xhylfidane Mustafa-Llalloshi.
Ndryshe, prej datës një tetor deri më 09 dhjetor në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë raportuar gjithsej 9.788 raste të sëmundjes të ngjashme me grip, 2.033 raste infeksione respiratore akute dhe 57 raste me Infeksion të rëndë respirator akut.
Ndërsa në laboratoret e Qendrës kombëtare të gripit është identifkuar tipi A i gripit sezonal, subtipi H3, i cili gjendet në komponenten e vaksinës së gripit e cila mbron personat e vaksinuar.
Zyrtarët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë së Kosovës rekomandojnë të bëhet vaksinimi tek të gjithë personat e moshuar, personat me sëmundje kronike dhe personat me imunitet të dobësuar.