Gruaja akuzon mjekët për humbjen e foshnjave: Prokuroria nis hetimet, në Gjinekologji thonë se ka qenë abort

Prishtinë | 02 Maj 2023 | 12:26 | Nga Ekonomia Online

Një grua shtatzënë ka raportuar se si shkak i neglizhencës së mjekëve i ka humbur dy foshnjat e saj.

Gruaja ka qenë shtatzënë në javën e 21-të.

E lidhur me rastin prokuroria ka nisur hetimet. Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore të Prishtinës tha për Klankosova.tv se Prokurori i Shtetit ka lëshuar urdhëresë për t’iu bërë autopsia dy foshnjave të pajeta.

Ulaj tha se është inicuar rast “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”.

“Prokuroria në koordinim me institucionet relevante janë duke i ndërmarrë veprimet hetimore për ta ndriçuar në plotëni këtë rast”, tha Ulaj.

Për rastin në fjalë është deklaruar edhe drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj.

Ndrejaj e ka mohur për Klankosova.tv se rasti ka ndodhur brenda klinikës që drejton.

“Në fakt, rasti ka ndodhur të shtunën. Nuk ka ndodhur brenda Klinikës së Gjinekologjisë, ka ndodhur jashtë saj. Kjo ka qenë abort, kjo ka qenë shtatzënë në javën e 21-të dhe ne deri në javën e 28-të e konsiderojmë abort”, tha Ndejaj.

“Ajo ka ardhur në klinikë e ka kryer lindjen. Foshnjat kanë qenë të vdekura”, theksoi ai.

Të ngjashme