Gruaja e Ivanoviqit: Dikush po mundohet ta fshehë të vërtetën për vrasjen

Prishtinë | 08 Maj 2018 | 12:21 | Nga

Milena Ivanoviq, gruaja e liderit të vrarë të SDP-së në Mitrovicën e Veriut, Oliver Ivanoviq, ka folur për hetimet dhe zbardhjen e vrasjes së bashkëshortit të saj.

Ajo beson se dikush po mundohet ‘ta fshehë të vërtetën për vrasjen e Ivanoviqit’, transmeton lajmi.net.

“Kam të njëjtat informacione të cilat i ka shpalosur edhe presidenti Vuçiq, dhe ato janë se imazhet satelitore nga ngjarja nuk ekzistojnë për shkak të mjegullës që ishte në ditën e vrasjes. Unë e mbaj mend shumë mirë atë ditë, më shumë se çdo ditë tjetër të jetës sime, dhe e mbaj mend po ashtu shumë mirë se atë ditë nuk kishte re”, shprehet Milena Ivanoviq.

Ivanoviq shton se kahja e hetimeve sipas saj nuk është e duhura, dhe se dikush është duke u munduar ta fshehë të vërtetën pas gjithë kësaj.

“Mund vetëm të hamendësoj. Por këtu nuk ka logjikë, nuk më pëlqen kahja e hetimeve. Po frikësohem se dikush po mundohet ta fshehë të vërtetën pas vrasjes së Ivanoviqit”, shtoi ajo.

Ndërkaq, Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq një ditë më parë deklaronte se Serbia ka dyshime të bazuara mbi vrasjen e Ivanoviqit, por këtë do ta lërë në duart e autoriteteve kompetente.

Oliver Ivanoviq u vra më 16 janar para zyreve të partisë së tij në Mitrovicën e Veriut.

Të ngjashme