Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka thënë se rasti i fituar nga Kosova ndaj dy institucioneve mikrofinanciare “IuteCredit” dhe “Monego”, nuk janë të kësaj Qeverie.
Sipas tij, në vitin 2019, Banka Qendrore e Kosovës kishte marrë vendim për revokimin e licencave për dy institucionet mikrofinanciare.
Gruda ka thënë se ky rast është mbrojtur në arbitrazh nga avokatura shtetërore, e cila nuk është organ politik, pra nuk është emëruar nga kjo qeveri.
Postimi i plotë i tij:
Deklaratat e pavërteta të qeverisë në lidhje me meritat e tyre për fitoren në arbitrazh kundër IuteCredit janë tronditese, sepse, e vërteta është kaq leht e verifikueshme.
Ja e vërteta e plotë e këtij rasti me pak fjalë:
Në vitin 2019, Banka Qendrore e Kosovës kishte marrë vendim për revokimin e licencave për dy institucionet mikrofinanciare “IuteCredit” dhe “Monego”, për shkak se kishte konstatuar se normat e interesit që kanë aplikuar këto institucione ishin në kundërshtim me ligjin. Pra, ky vendim është marr në kohen kur qeveria Kurti nuk ishte në pushtet.
Në anën tjeter, mbrojtja e këtij rasti në arbitrazh është bërë nga avokatura shtetërore, e cila nuk është organ politik, pra nuk është emëruar nga kjo qeveri, dhe kompania Squire Patton Boggs e angzhuar për këtë rast.
A mund të më thotë dikush konkretisht, cila është merita e kesaj qeverie në këtë rast?
Është e pabesueshme se si në mungesë të sukseseve reale, qeveria po përpiqet gjithënjë e më shumë të krijoj një version alternativ të realitetit.
Kjo qeveri luan me lojen e “post të vërtetës” si çdo qeveri tjetër populiste.