Shtëpi, rrugë, e ura u dëmtuan si shkak i reshjeve të mëdha të shiut të cilat përmbytën një zonë të Komunës së Drenasit, por megjithatë drejtori i emergjencave në këtë komunë, Nexhmedin Gruda për Ekonomia Online thotë se gjatë ditës së sotme situata është më e qetë.
“Me krahasu me ditën e djeshme, sot situata duket të jetë më e qetë, mirëpo me vazhdimin e shirave që parashihen, sigurisht se do të vazhdojë situata e vlerësimit. Rruga dhe ura janë dëmtuar në rrugën për në Dobroshevc; aty është problemi më i madh i qarkullimit, ndërsa probleme të tjera evidente nuk kemi pasur”, tha Gruda për Ekonomia Online.
Një vlerësim për dëmin që u shkaktua do të bëhet nga komuna, për çka Gruda pati një thirrje për qytetarët.
“Po, thirrjet janë të vazhdueshme nga qytetarët për të bërë vlerësimin e dëmeve dhe nga nesër do të fillojmë punën me dy komisione për vlerësimin e dëmeve, qoftë për materiale familjare, por edhe për biznese. Ndërsa sot, deri më tani, si mbështetje kemi bërë vizita individuale te familjet që janë të strehuara te të afërmit e tyre”, sqaroi ai.
Ndonëse vështirë të kalueshme, por Gruda thotë se me një kujdes më të shtuar rrugët janë kalueshme.
“Tash, deri në këto momente, ka disa orë që jemi duke u munduar me heqë nivelin e ujit këtu mbrapa meje (stacioni i autobusëve), që ta pakësojmë, kemi bërë një hapje të kanalit të veçantë për pakësimin e nivelit të ujit, ndërsa në vendet e tjera nuk kemi probleme. Rrugët janë të kalueshme me vështirësi, por janë të kalueshme”, shton Gruda.

