Gruda: Vetëvendosje ka dorë në moszbardhjen e rastit Dehari, gjatë qeverisjes së tyre u zhdukën mostrat

Prishtinë | 12 Gus 2024 | 16:12 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka thënë se Lëvizja Vetëvëndosje, përkundër se ka më shumë se tri vjet në pushtet, nuk ka bërë asnjë hap për të zbardhur të vërtetën e rastit të Astrit Deharit, raporton Ekonomia Online.

Gruda ka thënë se VV-ja ka dorë në moszbardhjen e këtij rasti, ndërsa konferencën e tyre të hënën para Prokurorisë Speciale, e ka quajtur vazhdimësi të keqpërdorimit të këtij rasti.

Madje, ai ka thënë se gjatë Qeverisjes Kurti, “janë zhdukur e janë kthyer pjesërisht mostrat e Astrit Deharit dhe është djegur dy herë Instituti i Mjekësisë Ligjore, ku ato ruheshin”.

“Janë bërë më shumë se tri vite që Lëvizja Vetëvendosje është në pushtet dhe nuk ka bërë asnjë hap për të zbardhur të vërtetën e rastit Dehari, përkundër premtimeve për zbardhjen e tij sa ishin në opozitë. Përkundrazi, gjatë qeverisjes së Vetëvendosjes janë zhdukur e janë kthyer pjesërisht mostrat e Astrit Deharit dhe është djegur dy herë Instituti i Mjekësisë Ligjore, ku ato ruheshin. Po ashtu, ka disa muaj që LVV po e pengon themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me zjarrin në Institut dhe humbjen e mostrave”, theksoi ai.

Gruda ngriti një sërë pyetjesh lidhur me këto ngjarje, duke i quajtur problemin themelor të pushtetit.

“Kush i zhduki mostrat e Astrit Deharit në Institut? Kush i ktheu mostrat e Astrit Deharit në Institut? Kush e dogji Institutin? Si ndodhi që mostrat e Deharit u zhdukën në mars të 2023-tës dhe po në atë muaj ndodhi zjarri i parë në Institut? Pas zjarrit të dytë u dogj sistemi i kamerave në IML dhe për katër ditë me radhë nuk kishte fare vëzhgim të dhomës së dëshmive ku mbahen mostrat e Deharit. Si është e mundur që pikërisht në këtë interval kohor 4 ditor të gjendeshin dhe të ktheheshin mostrat e Astrit Deharit në Institut? Cilat janë masat që janë marrë ndaj personave përgjegjës për monitorimin e kamerave dhe atyre që kanë çelësin për hyrje në Dhomën e Dëshmive në IML? Pse po e pengoni themelimin e Komisionit Hetimor për rastin Dehari?”, pyeti Gruda.

Gruda ka thënë se ky rast nuk do të mbetet i pazbardhur dhe se “njerëzit e këtij pushteti që po e pengojnë zbardhjen e tij një ditë do të japin llogari para drejtësisë”.

“Po ashtu, dua t’i siguroj të gjithë qytetarët e Kosovës se ky rast nuk do të mbetet i pazbardhur dhe se njerëzit e këtij pushteti që po e pengojnë zbardhjen e tij një ditë do të japin llogari para drejtësisë”, tha Gruda.

Të ngjashme