Javën e ardhshme vazhdojnë gjykimet mbi lëndët e Prokurorisë Speciale. Ish-kryeministri Nikolla Gruevski do të paraqitet si i akuzuar në tre nga gjithësej katër ditë pune të kësaj jave.
Vetëm dita e sotme e cila ishte ditë feste nuk ishte rezervuar për ndonjë proces gjyqësor.
Kështu, të martën, Nikolla Gruevski do të paraqitet si i akuzuar në rastin “Tanku” për blerjen e Mercedesit 600 mijë eurosh. Tashmë dëshmitarët janë shterrur, dhe sipas të gjitha gjasave do vijojnë provat e tjera materiale që do ti propozojnë avokatët e Nikolla Gruevskit, Gordana Jankullovskës dhe Gjoko Popovskit. Në të njëjtën ditë do të zhvillohet edhe gjykimi për lëndën “Trust” me të akuzuarin kryesor Sead Koçan.
Të mërkurën, Gruevski do të gjykohet përsëri për Mercedesin e blinduar, ndërsa në po këtë ditë do të gjykohet edhe kryeredaktori i televizionit Sitell, Dragan Pavlloviç-Llatas i cili akuzohet për evazion fiskal me firmat e tij. Do ketë gjykim edhe për rastin “Tarifa” për blerjen e disa softuerëve për nevojat e kompanisë ELEM.
Nikolla Gruevski do duhet të vijë në gjykatë edhe të enjten, tek salla e madhe e Gjykatës së re penale, për gjykim të rastit “Titanik”, rasti i parë i Prokurorisë Speciale në të cilin akuzohen 21 persona për manipulime zgjedhore. Nikolla Gruevski në këtë proces mbrohet nga gjashtë avokatë.
Të premten do gjykohet edhe ish kryetari i Manastirit Vlladimir Talevski lidhur me rastin “Transportuesi” për çmimet astronomike të transportimit të nxënësve në shkolla.
Dhe atë do ta shoqërojë edhe ish ministrja e kulturës Elizabeta Kançeska-Milevska e cila akuzohet për manipulime me tender të destinuar për ndërtim të muzeut të OBRM-së.