Dy britanez, një amerikan, një slloven dhe një izraelit janë shtetasit e huaj të cilët ish-kryeministrat Nikolla Gruevski dhe Emil Dimitriev, i kanë angazhuar si këshilltarë gjatë mandateve të tyre. Ata kanë këshilluar kryeministrat për ekonomi, turizëm, politikë të jashtme dhe për tërheqjen e investimeve të huaja.
TV Telma njofton se këshilltarët e huaj për shërbimet e tyre janë paguar nga 2 mijë deri 7 mijë dollarë në muaj, shumë në të cilën nuk përfshihen biletat e udhëtimeve dhe akomodimeve, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Izraeliti Jehoshua Shuki Glajtman, është këshilltarë në fushën e ndërmarrësisë dhe inovacioneve. Sipas marrëveshjes së nënshkruar në nëntor 2012, për shërbime një vjetore ka fituar 26 mijë dollarë. Sipas llogarive të biletave të aeroplanëve të cilat i ka paguar qeveria, ai ka qenë i angazhuar edhe në tre vitet e ardhshme.
Britanezo Colin Geffrey, për herë të parë në Maqedoni erdhi në vitin 2008 si përfaqësues i Jonson Meti, ndërsa për shërbimet e tij Gruevski e ka paguar 4 mijë euro në muaj.
Për sllovenin Marjan Hribar mund të gjenden informacione se është drejtor i filialës austriake të kompanisë turistike “Kompas”. Ai për shumën e 2500 eurove në muaj, ka këshilluar Gruevskin në fushën e turizmit në Maqedoni.
Amerikani George Pery sipas marrëveshjes me qeverinë të nënshkruar në 2013 është angazhuar për tërheqjen e investuesve të huaj nga industria e automobilistikës dhe për këtë është paguar 5 mijë dollarë në muaj.
Mes këshilltarëve të Gruevskit dhe Dimitrievit është edhe Aleksandar Nikovski, djali i ish-diplomatit Risto Nikovski, i cili është paguar 3 mijë euro në muaj. Nikovski ka pasur detyrë të promovojë mundësitë për investim në Maqedoni.