Qeveria e Maqedonisë së Veriut me anë të një solemniteti do të përurojë autostradën Shkup-Shtip, që llogaritet si një ndër arteriet kryesore të Maqedonisë Lindore.
Ish-Kryeministri, Nikola Gruevski, përmes Facebookut ka thënë se kjo autostradë është ndërtuar në kohën e VMRO-DPMNE-së, duke i dërguar mesazh pushtetit aktual që ta mirëmbajnë, ngase, siç ka thënë – do të kthehet.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut me një solemnitet do ta shënojë lëshimin në përdorim të autostradës Milladinovci-Shtip. Në solemnitet që duhet të mbahet të shtunën do të marrin pjesë kryeministri, ministra, përfaqësues të ambasadës së Kinës e të tjerë.
Ish-Kryeministri në arrati Nikola Gruevski, nga Budapesti, përmes një postimi në Facebook ka komentuar lëshimin në përdorim të kësaj autostrade. Ai sqaron se i gëzohet përfundimit, siç thotë, të arteries kryesore për Maqedoninë Lindore dhe se 85 deri 90% është ndërtuar derisa VMRO-DPMNE-ja ka qenë në pushtet. Ai ka thënë se një meritë të madhe për ndërtimin e kësaj autostrade ka edhe ish-ministri i Transportit, Mile Janakievski, për të cilin janë ngritur procedura për shpërdorim të detyrës.
“Le të jetë me fat autostrada Shkup-Shtip. Këta hajnat e pushtetit, le të përpiqen së paku ta mirëmbajnë siç duhet. Të mos jetë i shkatërruar kur të kthehem! Përshëndetje nga Budapesti” – ka shkruar ish-Kryeministri Gruevski në rrjetin social Facebook.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i socialdemokratëve në pushtet. LSDM-ja thotë se pikërisht ka qenë Gruevski i cili ka keqpërdorur mjetet për ndërtimin e kësaj autostrade, siç thonë së bashku me bashkëpartiakun e tij Mile Janakievski. Socialdemokratët thanë se Gruevski nuk duhet të shqetësohet për mirëmbajtjen e autostradës.
“Rruga e vetme nëpër të cilën do të kalojë, kur të kthehet, është rruga që çon drejt institucioneve ndëshkuese-përmirësuese, ku e pret qelia e burgut.”-reagojnë nga LSDM-ja.
Ndryshe, kjo autostradë duhej të kishte përfunduar vjeshtën e kaluar, kurse para një muaji është lëshuar për qarkullim. Gjatësia e autostradës është 47 kilometra dhe filloi të ndërtohet në vitin 2014, kurse ndërtimi kishte koston e 177 milionë eurove.