Grupet rivale ortodokse përleshen në katedralen e Ukrainës

Prishtinë | 18 Tet 2024 | 09:42 | Nga Ekonomia Online

Një përleshje e dhunshme shpërtheu ndërmjet besimtarëve të kishave rivale ortodokse për kontrollin e një katedraleje në qytetin Çerkasi në Ukrainën qendrore.

Katedralja e Shën Michaelit, e cila është caktuar si kishë garnizoni për Forcat e Armatosura të Ukrainës, ishte vendi ku po mbahej një liturgji nate kur rreth 100 persona me uniforma kamuflazhi dhe me maska u futën me forcë në hapësirën e katedrales më 17 tetor.

Tensionet rreth Katedrales së Shën Michaelit pasojnë përpjekjet më të gjera të Ukrainës për ta kufizuar ndikimin e Kishës Ortodokse Ukrainase (UOC), e cila historikisht ka qenë e lidhur me Kishën Ortodokse Ruse.

Megjithëse e shpalli pavarësinë nga Moska në vitin 2022, UOC ende shihet me dyshim nga autoritetet ukrainase për shkak të dyshimeve se mban qëndrim prorus.

Videoja e incidentit shfaq përshkallëzimin e tij në një përleshje fizike midis besimtarëve të kishave rivale.

Sipas Zoya Vovk, zëdhënëse e Policisë Kombëtare në rajonin e Çerkasit, disa njerëz u plagosën gjatë përleshjeve dhe pranuan tretman mjekësor.

U raportua se përfaqësuesit e UOC-it thyen portat e hyrjes dhe hodhën gaz lotsjellës në turmën e besimtarëve të Kishës Ortodokse të Ukrainës.

Dëshmitarët thanë se priftërinjtë dhe besimtarët e UOC-it u barrikaduan brenda katedrales dhe nuk lejuan të tjerët të futeshin brenda.

Një korrespondent i Radios Evropa e Lirë raportoi nga vendi i ngjarjes se përleshja përfundoi vetëm pasi mbërritën policia dhe aktivistët.

Kapelani i lartë ushtarak i rajonit të Çerkasit, Ati Nazariy, tha për REL-in se besimtarët vendës e kishin uzurpuar kishën fillimisht gjatë natës, por më vonë ishin larguar nga ata që ai i përshkroi si “aktivistë rusë” besnikë ndaj patriarkatit të Moskës.

“Lutjet për ushtarët tanë duhet të dëgjohen këtu”, tha Nazariy, duke shtuar se pjesëtarët e UOC-it i shpërfillën ushtarët ukrainas, duke i parë ata si armiq.

Në fund, u mbajt një shërbesë në gjuhën ukrainase në këtë kishë.

Vovk konfirmoi se ka nisur një hetim për “huliganizëm”./REL

Të ngjashme