Grupi i Grave Deputete, kryesuar nga Blerta Deliu-Kodra, kryetare dhe anëtaret e Bordit të GGD-së, Lirie Kajtazi, Time Kadriaj e Shukrie Bytyqi, zhvilloi disa takime, duke filluar me Institutin Cilësor për Hulumtime, Analiza dhe Trajnime ICHAT.
Gjatë këtij takimi, Drejtori Ekzekutiv – ICHAT, Besmir Kokollari, njoftoi Grupin e Grave Deputete të Parlamentit të Republikës së Kosovës për aktivitetet e institutit ICHAT, duke theksuar se qëllimi i vizitës është shqyrtimi i mundësive të bashkëpunimit të ndërsjellë në fusha të ndryshme, me theks të veçantë, në mbrojtjen e të drejtave të grave, si dhe fuqizimin e rolit të tyre në proceset vendimmarrëse.
Takimi i dytë ishte me drejtoren për Kosovë të Women for Women International, Ilirjana Jaka-Gashi, në të cilin u bisedua lidhur me mundësitë e vazhdimit të aktivitete me qëllim që të ndihmohen gratë në veprimtari ekonomike, posaçërisht në zhvillimin e ndërmarrësisë sociale.
Takimin e radhës, GGD-ja e kishte me OJQ POLIS, në të cilin u vendos të bashkëpunohet për të inkurajuar gratë që të realizojnë të drejtën në pronë dhe trashëgimi. Me këtë rast, kryetarja e GGD-së, Blerta Deliu-Kodra dhe Fitim Sadiku, nënshkruan një memorandum bashkëpunimi.
Një takim i veçantë u zhvillua edhe me Ekipin e Volejbollisteve nga Skenderaj, të cilat janë kampione të Kosovës në këtë disiplinë dhe përfaqësojnë Kosovën në garat ndërkombëtare.
Trajneri i klubit njoftoi GGD-në për vështirësitë e tyre, duke filluar nga mungesa e palestrës, mungesa e buxhetit etj. Drejtueset e Grupit të Grave Deputete përgëzuan vajzat për suksesin e arritur.
Takimi i fundit i deputeteve ishte me Albana Morina Xharrën – arkitekte, e cila tregoi storien e saj në ballafaqim me largimin masiv nga puna, shkeljen e të drejtave të punësuarve dhe sfidat në kërkim të drejtësisë.