Gryka e Neredimes me Qendër të Mjekësisë Familjare brenda vitit të ardhshëm

Prishtinë | 29 Gus 2018 | 17:25 | Nga

Investimet në infrastrukturën shëndetësore në Komunën e Ferizajt, po vijojnë në vazhdimësi. Sot, Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu së bashku me drejtorin e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Besnik Berisha dhe drejtorë të tjerë komunal, mjekun e zonës, banorë dhe përfaqësues të fshatit Neredime dhe fshatrave përreth vendosën gurthemelin e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Neredime, qendër kjo shëndetësore e cila është përfituar si projekt nga granti i performancës nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, me participim edhe nga Komuna e Ferizajt dhe që paraqet një investim mjaft të nevojshëm për të gjitha fshatrat e Grykës së Neredimes.

Ky projekt infrastrukturor, paraqet ndër investimet kryesore në këtë zonë, për këtë periudhë qeverisëse, duke i ofruar përfundimisht banorëve të gjithë Grykës së Neredimes, shërbime më të afërta shëndetësore, qasje më të lehtë në shërbime të tjera që ofrohen nga kjo qendër si dhe shtrirje të infrastrukturës shëndetësore edhe në zonat rurale.

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu vlerësoi se ky projekt përmbush një pritshmëri të kahershme të banorëve të kësaj zonë për një Qendër të Mjekësisë Familjare, duke eliminuar përfundimisht rrugëtimin e banorëve në qendra tjera për të marr shërbimet shëndetësore.
Edhe drejtori i Shëndetësisë, Besnik Berisha uroi banorët e zonës së Neredimes për këtë projekt duke dhënë detale mbi punimet. Ai tha se ky projekt është projekt 1 vjeçar, grant nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe si i tillë përmbush nevojat e banorëve të kësaj zonë për shërbime shëndetësore.

Mjeku i kësaj zone, Ramiz Avdulli falënderoi pushtetin lokal dhe atë qendror për këtë investim të nevojshëm për banorët e zonës.

“Për banorët e kësaj zone ka një rëndësi të veçantë, do të kenë qasje më të lehtë në shërbime shëndetësore, më të afërt dhe do të jetë në interesin e tyre dhe shëndetit të tyre, me siguri që është një hap që duhet përgëzuar dhe uruar, për mbarëvajtjen e punimeve dhe përfundimin e projektit” tha mjeku Avdulli.

Lajm të mirë për shëndetësinë lokale dhe banorët e zonës së Neredimes e cilësoi fillimin e punimeve për këtë projekt edhe zyrtari nga Qendra e Mjekësisë Familjare, Xhevdet Haxhidema.

“Kjo është një ditë e veçantë për banorët e gjithë kësaj zone, po vihet gurthemeli i një institucioni shëndetësor siç është Qendra e Mjekësisë Familjare në fshatin Neredime e Ulët. Në këtë Qendër të Mjekësisë Familjare pritet të gravitojnë banorët edhe të fshatrave Neredime e Epërme, Jezerc, Manastirc dhe Balaj. Dihet që me konceptin e mjekësisë familjare është e paraparë që mjeku të ofrohet sa më afër qytetarit, qytetari të këtë sa më shpejt qasje në shërbime shëndetësore gjithmonë kur ka nevojë. Është projekt siç theksoi edhe drejtori është grant që është fituar nga niveli qendror. Neve na mbetet të falënderojmë Kryetarin e Komunës si banorë të zonës, falënderojmë Kryetarin e Komunës, drejtorin e Shëndetësisë që kanë bërë çmos që ky projekt të vij në zonën e Neredimes dhe si banorë i jemi falënderues dhe mirënjohës të gjithëve” tha zyrtari nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare, Xhevdet Haxhidema.

Ky projekt është fituar në kuadër të Grantit të Performancës nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, ka një kosto prej afro 133,000 eurosh dhe pritet të përfundoj brenda një vit.

 

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme