Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GSJP), Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) dhe Organizata Çohu, në emër të Koalicionit të organizatave në kuadër të “Javës kundër Korrupsionit” #bashkeendreqim, në mbështetje të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë, organizuan sot tryezën e Diskutimit me temë: “Progresi në Zbatimin e Strategjisë kundër Korrupsionit”, në Prishtinë.
Në këtë tryezë u diskutua për dështimet e institucioneve, arritjet dhe sfidat drejt zbatimit të plotë të Strategjisë, si dhe mbi gatishmërinë institucionale në luftimin e korrupsionit dhe promovimin e mekanizmave kundër-korrupsion.
Në fillim të tryezës, u prezantua Raporti i Politikave me titull “Monitorimi i zbatimit të Strategjisë kundër-Korrupsion dhe Planit të Veprimit 2013-2017”.
Ky raport vë në pah arritjet dhe ngecjet e institucioneve në zbatimin e masave dhe veprimeve që rrjedhin nga kjo Strategji, të cilat synojnë forcimin e integritetit institucional, promovojnë vlerat e qeverisjes së mirë dhe luftën kundër korrupsionit.
Në fjalën e saj hyrëse, Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, theksoi se vetëm rishikimi i kornizës legjislative nuk është i mjaftueshëm duke pasur parasysh që korrupsioni është një fenomen multidisiplinorë.
Bashkëpunimi ndër-institucional si dhe përkushtimi ynë individual dhe kolektiv në luftën kundër korrupsionit është i obligueshëm për integrimin e Kosovës si në strukturat e Bashkimit Evropian, po ashtu edhe në ato Euro-Atlantike.
Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, dhe njëherit kryetare e Komisionit për Legjislacion, tha se mungesa e vullnetit politik, kapja e sistemit të drejtësisë si dhe mungesa e legjislacionit adekuat për luftimin e korrupsionit, janë disa nga arsyet kryesore që korrupsioni mbetet i rrënjosur thellë në sferën politike, ekonomike dhe sociale në Kosovë.
Duke përgëzuar organizatat e shoqërisë civile për organizimin e “Javës kundër Korrupsionit”, Haxhiu theksoi rëndësinë e përfshirjes së shoqërisë civile dhe rekomandimeve të tyre në hartimin e Strategjisë së re kundër Korrupsionit.
Ndërsa, James Hope, drejtor i Misionit të USAID-it në Kosovë tha se korrupsioni po shkatërron mundësinë e tërheqjes së investimeve të huaja, rritjen e vendeve të punës si dhe po zbeh besimin e qytetarëve karshi institucioneve të shtetit.
Prandaj, është e rëndësishme të theksohet se lufta kundër korrupsionit kërkon një bashkëpunim të qëndrueshëm në mes të institucioneve, shoqërisë civile dhe qytetarëve në përgjithësi.
Shefi i Sektorit Politik, Ekonomik dhe Integrim Evropian, Zyra e BE-së, Thomas Gnocchi, vuri theksin tek rëndësia e hartimit të Strategjisë së re, duke kërkuar nga institucionet e përfshira që t’i adresojnë me kujdes problemet me të cilat është përballur Strategjia e tanishme.
Zbatimi jo adekuat i kësaj Strategjie, mungesa e një planifikimi të mirëfilltë buxhetor si dhe mos-koordinimi institucional janë disa nga sfidat që duhet të adresohen me kujdes gjatë përpilimit të Strategjisë së re.
Kryesuesi i Prokurorisë Speciale, Reshat Millaku, tha se prokuroritë janë të angazhuara intensivisht në këtë drejtim dhe se në grupin e personave që hetohen hyn edhe zyrtarë të lartë, përfshirë këtu ministra dhe ish-ministra, kryetarë të komunave dhe ish-prokurorë.
Në vazhdim ai tha se sfidë mbetet numri i ulët i prokurorëve të angazhuar, që nuk kalon as 60% e normës së kërkuar.
Shefi i Divizionit për Hetime dhe Strategji pranë Agjencisë kundër Korrupsion, Burim Sadiku, theksoi nevojën e një bashkëpunimi më konstruktiv ndërmjet institucioneve përgjegjëse në mënyrë që raportimi kundrejt Agjencisë të jetë më gjithëpërfshirës sa i përket zbatimit të masave dhe veprimeve që rrjedhin nga kjo Strategji.