Pakënaqësia e qytetarëve është shumë e lartë ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të Kosovës në luftën ndaj korrupsionit. Kjo u bë e ditur në tryezën me temë “Sfidat në Sistemin e Drejtësisë: Pakënaqësia qytetare kundrejt punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ku qëndron problemi?”, të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GSJP).
Nga të dhënat e anketimit mbetet shqetësues fakti që 24.8% e qytetarëve të anketuar mendojnë se asnjë nga institucionet e sundimit të ligjit nuk janë në gjendje të kryejnë detyrat/përgjegjësitë e tyre në mënyrë të pavarur. Ky perceptim negativ i qytetarëve është rritur krahasuar me të dhënat e Qershorit 2016, ku vetëm 16.2 % mendonin se asnjë institucion nuk është i pavarur.
Gjithashtu, të dhënat e anketës tregojnë se 58.2% e të anketuarëve mendojnë se personat me ndikim politik kanë më pak gjasa që të marrin ndëshkimin e duhur nga strukturat përkatëse ligjore. Perceptimi i qytetarëve ndaj institucioneve të drejtësisë, në veçanti gjyqësorit dhe prokurorisë mbetet negativ, sidomos në aspektin e luftës kundër korrupsionit.
Sa i përket mitmarrjes, të dhënat tregojnë se 43.4% e qytetarëve të anketuar mendojnë që punonjësit e institucioneve të sundimit të ligjit drejtëpërdrejtë kërkojnë ose pranojnë mito. Nga ta, 77.9% e tyre perceptojnë se gjykatat janë institucioni më i prekur nga mitmarrja, pasuar nga prokuroria me 69.4%, policia me 52.2% dhe EULEX-i me 31.3%.
Në vazhdim, vetëm 4.7% dhe 3.6% e qytetarëve e perceptojnë prokurorinë dhe gjykatat, përkatësisht, si institucione kompetente që e luftojnë korrupsionin në Kosovë. Nga ta, 48.6 % e qytetarëve se policia është institucioni më efektiv në luftimin e korrupsionit, mediet dhe Agjencia Kundër Korrupsionit, përkatësisht 19.1% dhe 14.4%. Kurse sa i përket raportimit të korrupsionit, 75.7% shprehen se janë të gatshëm të raportojnë dhe Institucioni ku do të raportonin është Policia 85.6%
Arta Merja, nga GSJP-ja, gjatë publikimit të të gjeturave që dalin nga anketa e GSJP-së të realizuar me qytetarë të Kosovës tha se institucionet me ndikim më të madh politik janë gjykatat, raporton Ekonomia Online.
“Ne kemi zhvilluar një anketim në të gjithë Kosovës edhe përmes një ndarje etnike siç është ndarja në ASK. Të dhënat e anketës del se 52.8 për qind mendojnë që personat me ndikim të lartë politik kanë gjasa të mos ndëshkohen. Institucionet më me ndikim politik janë gjykatat. 43.4 për qind të qytetarëve mendojnë se punonjësit e drejtësisë kërkojnë ryshfet; 77.9 për qind mendojnë se gjykatat janë ato që marrin më së shumti ryshfet”, ka thënë ajo.
Nga anketa ka dalë se qytetarët e Ferizajt janë ata që më së paku besojnë në luftën e Prokurorive kundër korrupsionit.
“Vetëm një për qind e qytetarëve të Ferizajt mendojnë që Prokuroria është efikase në luftimin e korrupsionit”, ka thënë Merja.
Qalaj: Prokuroria e Shtetit vjet ka zgjidhur 6 355 lëndë
Ndërsa, Agron Qalaj nga Zyra e Prokurorit të Shtetit, theksoi se duke u nisur nga titulli i kësaj teme është një term goxha abstrakt, i cili përcakton një gamë të gjerë, e cila përcillet me pakënaqësi.
Ai ka bërë të ditur për vitin 2016 Prokuroria e Shtetit ka pranuar gjithsej 55 341 lëndë të reja dhe ka zgjidhur 6 355 lëndë.
Sa i përket zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, ai tha se i gjithë fokusi është përqendruar në ngritjen e kapaciteteve në të gjithë sistemin prokuroial për të ndryshuar perceptimin që mbizotëron.
“Zyra e kryeprokurorit të Shtetit ka caktuar prioritetet për të cilat kemi vënë në pah sidomos luftën kundër korrupsionit. Po të kishim staf të mjaftueshëm dhe me numrin e prokurorëve që kemi është e pamundur të realizohet ky parim. Mbetet sfidë kryesore që politikat e KPK-së që vërtet i kushtohet rritjes së numrit të prokurorëve”, tha Qalaj.
Sipas tij, fokusi i Prokurorisë është që të jenë sa më transparent.
Ndërsa, Idain Ismajli nga Këshilli Prokurorial i Kosovës tha se sistemi prokurorial në Kosovë në mënyrë ligjore është i përcaktuar të punojë në arritjen e rezultateve dhe efikasitetit më të madh.
“Nëse sistemi gjyqësor dështon që të luftojë krimin, atëherë shoqëria do të përballet me rritjen e normës së aktiviteteve kriminale”, ka thënë ai.
Zemaj: Ndikimi politik e korrupsioni pjesë e sistemit të drejtësisë
Armend Zemaj anëtar i Komisioni Parlamentar për Legjislacion tha se nga ky takim të krijojnë opinione të sakta dhe të gjejnë një rrugëtim për reformë në sistemin gjyqësor.
Ai ka theksuar se ndikimi politik, korrupsioni dhe papërgjegjësia janë pjesë e sistemit të drejtësisë në Kosovë.
“Nuk besoj që është vetëm perceptim qytetarë, por është edhe gjendja reale që kanë këta dy trupa. Esenca kryesore është që ne të paraqesim gjendjen reale dhe të ngrisim llogaridhënien. Më shumë është kujdesur Komisioni Parlamentar dhe OJQ-të për të ndryshuar gjendjen në këta trupa sesa vet këta që kanë punuar në ndryshim të gjendjes”, ka thënë ai.