Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, iu ka bërë thirrje lojtarëve të vet të mos dalin nga vetja por ta luajnë lojën e vet në ndeshjen e kthimit, pas fitores 2:1 kundër PSG-së në ndeshjen e parë gjysmëfinale në Ligën e Kampionëve të mërkurën.
Marquinhos e kaloi PSG-në në epërsi herët në pjesën e parë, por City u përmirësua dukshëm në pjesën e dytë dhe e barazoi rezultatin përmes Kevin De Bruyne, harkimi i të cilit i la shtangur të gjithë, përfshirë portierin Keylor Navas, transmeton Gazeta Express.
Riyad Mahrez pastaj e shfrytëzoi një hapësirë në murin e PSG-së për ta depërtuar topin nga gjuajtja e lirë e përtej Navasit, duke ia siguruar Cityt një epërsi prej 2:1 para ndeshjes së kthimit javën e ardhshme.
Manchester City nuk ka arritur kurrë në një finale të Ligës së Kampionëve dhe kjo është vetëm hera e dytë që arrin në gjysmëfinale, e para nën udhëheqjen e Guardiolës.
“E gjitha që kërkoj unë është të jemi vetvetja në ndeshjen e kthimit. Ne jemi të mirë kur luajmë në një mënyrë të caktuar dhe prandaj nuk mund të luajmë në mënyrë tjetër”, tha Guardiola.
“Shpresoj se do t’i gjejmë fjalët e duhura dhe vendimet e duhura për ta bërë këtë”, shtoi ai. /Gazeta Express/