Pep Guardiola kritikohet shpeshherë se nuk e ka dëshmuar aftësinë e tij si trajneri pasi që ka pasur sukses vetëm shkaku se i ka drejtuar skuadrat më të mira në botë. 49-vjeçari iu përgjigj së fundi këtyre kritikëve, duke u pajtuar me ta.
Trajneri aktual i Manchester Cityt, Pep Guardiola, i ka fituar të gjitha trofetë e mundshme gjatë karrierës së tij si trajner. Pasi e mori drejtimin e Barcelonës në vitin 2008, ai i fitoi 14 tituj për katër vjet, përfshirë këtu katër tituj të La Ligës dhe dy të Ligës së Kampionëve.
Pastaj, në vitin 2013, ai kaloi te Bayern Munichu, ku e fitoi titullin e Bundesligës në tre sezonet sa ishte në Gjermani. Guardiola ka qenë dominues edhe në Angli me Manchester Cityn, duke i fituar dy tituj të ligës dhe shtatë gjithsej që nga viti 2016.
Këto suksese të Guardiolës kanë bërë që shumë tifozë ta konsiderojnë atë trajnerin më të mirë në botë. Megjithatë, këtë qëndrim nuk e kanë të gjithë. Disa besojnë se Guardiola ka pasur sukses vetëm për shkak se i ka blerë dhe i ka pasur në skuadër lojtarë më të mirë.
Në një intervistë të fundit, 49-vjeçari iu përgjigj këtyre kritikëve, duke treguar se edhe ai e ka të njëjtin mendim.
“Unë kurrë s’e kam ndierë se jam trajneri më i mirë në botë, madje as kur i fitova gjashtë tituj radhazi dhe fitova tripletë. S’jam ndierë kurrë në atë mënyrë”, ka thënë Guardiola.
“Unë kam fituar sepse kam pasur lojtarë të jashtëzakonshëm në klube të mëdha. Trajnerët e mrekullueshëm nuk i kanë këta lojtarë, nuk i kanë këto klube”.
“Unë jam një trajner i mirë, por jo më i miri. Me jepni një skuadër që nuk është si Manchester City dhe unë nuk do të fitoja”.
Megjithatë, Guardiola lavdërohet për punën që e ka bërë me këto skuadra, pasi që shumë persona besojnë se stili i tij i lojës ka bërë revolucion në futboll.