Kryetrajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, po planifikon të qëndrojë te klubi i Premier Leagues stinorin e ardhshëm, pas raportimeve se do të largohet nga klubi kampion në fund të stinorit.
Spanjolli, që kurrë nuk ka menaxhuar një klub më tepër se katër vjet, ka mohuar raportimet më herët këtë muaj se kontrata e tij që është e vlefshme deri në vitin 2021 ka një klauzolë për shkëputje që i mundëson të largohet në fund të këtij stinori, shkruan sot Koha Ditore.
Shpresat e Manchester Cityt për të fituar titullin e tretë rresht të Anglisë kanë marrë goditje, pasi skuadra e Guardiolas gjendet 11 pikë prapa Liverpoolit, ndërsa ka një ndeshje më tepër të zhvilluar. Guardiola 48-vjeçar ka thënë se e ardhmja e tij te City nuk varet plotësisht nga ai.
“Ky është stinori im i katërt, stinori i ardhshëm do të jetë i pesti, pasi planifikoj të qëndroj stinorin e ardhshëm. Është një kohë e gjatë”, ka thënë Guardiola të hënën në konferencën për media, para se skuadra e tij të luajë të premten ndeshjen në udhëtim në Premier League ndaj Wolverhamptonit.
“Jam jashtëzakonisht mirë këtu. Duhet të shoh nëse e meritoj një kontratë të re. Niveli është rritur shumë dhe pritjet janë më të larta dhe duhet të shohim nëse mund të përballojmë ato. Nuk varet vetëm nga unë. Tash kemi një pushim me familje dhe më pas përgatitemi për ndeshjen me Wolverhamptonin dhe për kundërshtarët e tjerë. Duhet të mendojmë për të ardhmen”.