Vrasja e ish-luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Qerim Kelmendi, ka prekur bashkëluftëtarët e tij, të cilët, ditën e vrasjes e quajnë ditë të zymtë, raporton Ekonomia Online.
Njëri ndër bashkëluftëtarët e Kelmendit, është kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati.
Gucati në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se vrasja, e më pas djegia e trupit të Kelmendit është vrasje e lirisë.
“Ne sot jemi zgjuar me një ditë të zymtë, me një ditë makabër që ka ndodhur në Kosovë. Kur kemi dëgjuar për vrasjen dhe djegien e trupit të njërit prej komandantëve të UÇK-së, siç ka qenë Qerim Kelmendi. Për ne ka qenë një humbje e madhe për bashkëluftëtarët”.
“Në momentin që vriten luftëtarët, vritet edhe liria. Ne kemi reaguar dhe kërkojmë nga drejtësia që sa më shpejt të zbardhet ky rast. Unë pres nga shokët e tij, sidomos nga Rexhep Selimi që të reagojnë, sepse Qerimi ka qenë shok i Zahir Pajaziti, Ilir Konushevcit e shumë të tjerëve, kështu që sot vritet një njeri që ka dhënë kontribut për vendin, për ne është vrasje e të gjithë luftëtarëve të UÇK-së”, ka thënë Gucati për EO.
Gucati nuk ka dashur të flasë nëse vrasja e Kelmendit ndërlidhet me vrasjet e pasluftës. Ka thënë se që nga paslufta janë vrarë më shumë se 160 ish-luftëtarë të UÇK-së.
Gucati ka thënë se nuk i përjashtojnë protestat deri në zbardhjen e vrasjes së Kelmendit.
“Unë nuk isha lëshuar në ato deklarata nëse vrasja e tij ndërlidhet me një krim apo tjetrën, nuk kam informacione në këtë drejtim, por ne si OVL e UÇK-së e dënojmë krimin që është bërë sot pikërisht mbi pjesëtarin e UÇK-së. Në Kosovë pas luftës janë vrarë më shumë se 160 pjesëtarë të UÇK-së. Ne publikisht nuk i përjashtojmë mundësitë dhe reagimet tona që mund të jenë edhe më të ashpra, ndoshta para qeverisë dhe institucioneve tjera. Ne kërkojmë që sa më shpejt të zbardhet rasti i Qerim Kelmendit”, ka thënë ai.
Kryetari i OVL-së së UÇK-së, ka folur edhe për deklaratat e kryeministrit Albin Kurti, në lidhje me “zbulimin e marrëveshjes sekrete”, ndërmjet Thaçit dhe NATO-s.
Gucati ka apeluar Kurtit që të ketë kujdes në këto deklarata, duke thënë se mund të ndikojnë në raportet me NATO-n.
“Na ka befasuar letra e tij dhe thirrja e konferencës së jashtëzakonshme. Unë i bëj thirrje Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit të jenë të kujdesshëm në këto drejtime. UÇK-ja ka luftuar për çlirimin e vendit në bashkëpunim gjithmonë me ndihmën e aleatëve, sidomos të Amerikës dhe NATO-s, kështu që ne nuk kemi luftuar për të humbur miq por të bëjmë miq dhe në bazë të kësaj ne jemi këtu, ku kemi shtet. I bëj thirrje publike që të jetë i kujdesshëm, mos të na i prish marrëdhëniet me SHBA-në dhe NATO-n”, ka thënë Gucati.
Teksa flet për Gjykatën Speciale dhe ngritjen e aktakuzave, Gucati thotë se me këtë gjë, po tentohet njollosja e luftës së UÇK-së dhe veteranëve të saj.
Madje, refuzimi i ftesës që u bë nga Fadil Zogaj, Gucati i ka kërkuar që t’i përgjigjet pozitivisht kësaj ftese.