Vetëm pak ditë para zgjedhjeve lokale, veteranët e luftës u revoltuan. Ata thonë se nëse nuk i marrin pensionet deri të premten, nuk do të dalin për të votuar.
Në anën tjetër, pagat e tyre nxitën reagime mes subjekteve politike për shkak se 17 milionë euro, të parapara për sigurimet shëndetësore, do t’i shtohen fondit të veteranëve, për të cilët janë ndarë gjithsej 26 milionë euro.
Kreu i veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati, thotë se veteranëve nuk u intereson shumë se ku janë marrë paratë. “Ne duam çfarë na takon”, thotë Gucati në një bisedë për Express.
Pas rishikimit të buxhetit, dje në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa, pagat e veteranëve do të paguhen nga fondet e sigurimeve shëndetësore.
Ky vendim nxiti reagime e kundërreagime. Lumir Abdixhiku i Lidhjes Demokratike, i cili udhëheq Komisionin për Financa, doli kundër alokimit të fondit të sigurimeve shëndetësore për pagat e veteranëve.
Sipas Abdixhikut, nuk është e drejtë që të hiqen miliona euro fondit të paraparë për sigurime shëndetësore për t’iu shpërndarë listave të fryra të veteranëve.
Por, e gjithë kjo nuk i intereson kryetarit të Organizatës së Veteranëve, i cili thotë se nuk përzihen në punët e Qeverisë, e as nuk është punë e tyre nëse merren mjetet e sigurimeve shëndetësore për t’i paguar.
“Ne duam çfarë na takon”, thotë Gucati.
“Nuk përzihem se ku i merr paratë Qeveria. Neve na intereson që Qeveria ta implementojë ligjin”, thotë kreu i organizatës së vetereanëve të UÇK-së.
Gucati tregon se para dy javësh është takuar me kryeministrin Ramush Haradinaj, i cili është zotuar se paratë për veteranët, 26 milionët, janë ndarë.
Megjithatë, sipas Gucatit, përkundër zotimit të kryeministrit se “ka kryer punën rreth pagesave të veteranëve”, obligimet ndaj kësaj kategorie të luftës nuk janë përmbushur, përderisa ata nuk kanë marrë çfarë u takon.
“Nuk e di se si po thuhet se kanë kryer obligimet, kur nuk janë qitë paret”, thotë Gucati.
Ai paralajmëron se së shpejti do të dalin me një paralajmërim në rast se nuk dalin pensionet, ndërsa, sipas tij, reagimet e tyre nuk kanë lidhje me fushatën dhe veteranëve nuk u intereson fushata, por t’i marrin pensionet.
Edhe pse pensionet zakonisht ndahen pas datës 24, e premtja është afati i fundit i caktuar nga veteranët. Në të kundërt, abstenimi në ditën e zgjedhjeve do të jetë ndëshkimi i kësaj kategorie të veteranëve për partitë që rëndom kanë votat e tyre.
Veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk kanë marrë pensionet e tyre prej tre muajve. 52 euro ka qenë shuma e fundit që kanë marrë në gusht.
Kjo kategori e luftës thotë se nuk është kryer obligimi ndaj tyre, përderisa nuk i kanë paratë në llogaritë e tyre. Ultimatumi i veteranëve po jepet në javën e zgjedhjeve.
Ata kërkojnë që mjetet që ua ka borxh Qeveria të dalin deri të premten. Në të kundërtën, ata nuk do të dalin të votojnë.
Gucati thotë se ai nuk do të kërkojë nga veteranët as të dalin në zgjedhje e as t’i votojnë partitë “e caktuara”.
Edhe pse Qeveria e tanishme është e krijuar nga partitë e krahut të luftës, dhe tri pozitat më të larta shtetërore udhëhiqen nga pjesëtarë të UÇK-së, veteranët e luftës po ndjehen të lënë anash. Si rrjedhojë ata paralajmërojnë se nuk do të dalin të votojnë.
“Është turp nga partitë që të kërkojnë votat e veteranëve kur Qeveria u ka borxh atyre dhe veteranët janë shumë të hidhëruar”, thotë Gucati.
Kryetari i OVL-UÇK-së paralajmëron protesta nëse nuk u dalin pensionet deri të premten.
“Nëse nuk na japin deri të premten unë do të dalë në rrugë dhe do t’i thërras veteranët të dalin. Pensionet na takojnë me ligj dhe s’po kërkojmë asgjë tjetër përveçse të implementohet ligji”, porosit Gucati.