Hysni Gucati, kryetar i OVL-UÇK-së, në protestën e mbajtur në Shkup në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së theksoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka qenë kurrë kriminale, por një forcë çlirimtare që ka mbrojtur kombin dhe qytetarët e saj, raporton Ekonomia Online.
Gucati deklaroi se protesta synon t’i përcjellë komunitetit ndërkombëtar mesazhin se akuzat ndaj UÇK-së janë të pavërteta, duke shtuar se shqiptarët janë të bashkuar për të mbrojtur të vërtetën historike.
“Sot jemi mbledhur këtu për t’i treguar partnerëve ndërkombëtarë dhe komunitetit ndërkombëtar në Maqedoninë e Veriut se UÇK nuk ka kryer krime. UÇK ka qenë një ushtri çlirimtare që mbrojti kombin e vet dhe qytetarët e saj. Ne jemi këtu për të ngritur zërin, siç e bëjmë në çdo protestë, duke bashkuar shqiptarët siç bëri edhe Skënderbeu në kohët më të vështira. Kjo gjykatë është formuar nga një individ i çmendur, i cili në vitin 2011 ngriti një rezolutë në Parlamentin dhe Këshillin e Europës, duke pretenduar se UÇK ka kryer krime. Por ne jemi këtu për të treguar se e vërteta është ndryshe”, tha Gucati.