Guigou i kthen përgjigje Reçicës për rastin e Haradinajt (Dokument)

Prishtinë | 27 Jan 2017 | 22:43 | Nga

Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme të Asamblesë së Përgjithshme të Francës, Elisabeth Guigou, i ka kthyer përgjigje kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës, Elmi Reçica, lidhur me ndalimin e padrejtë të Ramush Haradinajt në Francë.

Reçica e ka falënderuar Guigou për interesimin e saj mbi çështjen e Haradinajt dhe ka thënë se marrëdhëniet e shkëlqyeshme në mes Kosovës dhe Francës do të vazhdojnë të thellohen edhe më tej, transmeton zeri.info.

“Sapo pranova përgjigjen përmes komunikimit diplomatik, nga znj. Elisabeth Guigou, Kryetare e Komisionit për Punë të Jashtme të Asamblesë së Përgjithshme të Francës, lidhur me shqetësimin tonë për të cilin iu pata drejtuar ditë më parë për ndalimin e padrejtë të z. Ramush Haradinaj. Duke qenë thellësisht i bindur në pafajësinë dhe pastërtinë e z. Ramush Haradinaj lidhur me rolin e tij në Luftën Çlirimtare, mbi këtë bazë presim që të korrigjohet ky gabim dhe besojmë që sa më shpejtë autoritetet e drejtësisë franceze do të nxjerrin një vendim meritor për lirimin e ish Kryeministrit z. Haradinaj”, ka shkruar Reçica.

Në përgjigjen e Guingout thuhet se autoritet e drejtësisë franceze janë të njoftuara dhe janë duke e shqyrtuar situatën në mënyrë të pavarur me përkushtimin më të madh, raporton Ekonomia Online.

Më tej thuhet se ndalimi i Haradinajt është bërë në bazë të një urdhri të Interpolit, prandaj sipas saj, ky është vetëm respektim i obligimeve ndërkombëtare të Francës.

Ajo ka siguruar se arrestimi i i Haradinajt nuk ka asnjë dimension politik dhe se raportet në mes të Francës nuk do të ndryshojnë.

“E kuptoj shqetësimin tuaj dhe kam kërkuar informata nga Ministria e Jashtme, e cila m’u përgjigj se kishte biseduar për rastin e Haradinajt me Enver Hoxhajn dhe se shërbimet janë në kontakt me autoritetet e Kosovës lidhur me këtë temë”, thuhet në përgjigjen e Guigout.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme