Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë të premten se Guinea Ekuatoriale do të zhvendosë ambasadën e saj në Jerusalem, si shenjë e përmirësimit të marrëdhënieve me kombet afrikane.
Guinea do të bëhej vendi i tretë që do ta zhvendoste ambasadën në qytetin e kontestuar të Jerusalemit, pas Shteteve të Bashkuara dhe Guatemalës. Kosova dhe Malavi gjithashtu kanë vendosur që t’i hapin ambasadat atje, shkruan “Independent”.
Izraeli pushtoi Jerusalemin lindor në luftën e 1967-s dhe e aneksoi atë në një lëvizje që nuk njihej ndërkombëtarisht. Palestinezët duan që Jerusalemi lindor të jetë kryeqyteti i shtetit të tyre. Për shkak të statusit të kontestuar të qytetit, shumica e vendeve mbajnë ambasada në Tel Aviv.
Gjatë mandatit të tij si president i SHBA-së, Donald Trump, prishi politikën disa dekadëshe të SHBA-së, duke zhvendosur ambasadën në Jerusalem më 2018 dhe duke njohur qytetin si kryeqytet të Izraelit. Autoritetet palestineze ndërprenë kontaktet me administratën e Trumpit si kundërpërgjigje.
Pikërisht në kohën e Trumpit, në marrëveshjen e 4 shtatorit në Uashington me Serbinë, Kosova u zotua për hapjen e ambasadës në Jerusalem, si këmbim për njohjen nga Izraeli. Kosova e Izraeli vendosën marrëdhënie diplomatike në fillim të shkurtit.