Peter Gulacsi i ishte bashkuar RB Leipzigut kur klubi ende po garonte në Kategorinë e Dytë të Gjermanisë. Ai ka parë klubin duke u rritur dhe po e pret me padurim paraqitjen e parë në fazën nokaut të Ligës së Kampionëve.
Portieri hungarez po pret sfidën e të mërkurës mbrëma që Leipzigu do ta luajë në Londër kundër Tottenhamit, ndeshje kjo e parë e 1/8 së finales të Championsit.
“Është një përvojë e mirë të luash kundër një skuadre angleze. Është mundësi e madhe dhe test i madh. Nëse kemi ditë të mirë, ndoshta edhe mund ta befasojmë Tottenhamin”, ka thënë Gulacsi për agjencinë AFP.
Derisa Tottenhami i drejtuar nga portugezi Jose Mourinho zë vendin e pestë në Premier League, Leipzigu është në betejë për titull të Bundesligës me Bayern Muenchenin.
“Do të jenë dy ndeshje të vështira, por që i presim me padurim. Ne kemi luftuar për të luajtur ndeshje të tilla”, ka shtuar Gulacsi.
Arritja në 1/8 e finales të Ligës së Kampionëve është hapi i radhës në ngritjen e jashtëzakonshme të Leipzigut në dekadën e fundit. Klubi u ble nga gjiganti i pijeve energjike Red Bull në vitin 2009, kur po garonte në kategorinë e pestë të futbollit gjerman.
Gulacsi iu bashkua nga Red Bull Salzburgu në vitin 2015 kur Leipzigu ishte në Bundesliga 2. Në stinorin e parë arriti të ndihmonte klubin të ngjitej në elitë.
Në edicionin e parë në elitë Leipzigu arriti të bënte befasi duke përfunduar në vend të dytë. Tash Leipzigu po e shijon stinorin e dytë në Ligën e Kampionëve dhe me trajnerin 32-vjeçar Julian Nagelsmann po shpreson të arrijë sa më larg.
“Skuadra është rritur, qyteti është duke folur për futboll. Ne jemi duke u munduar të ngrihemi hap pas hapi dhe jam i lumtur që jam pjesë e këtij projekti”, ka thënë hungarezi.
Ndeshja e të mërkurës do të jetë një rikthim i Gulacsit në Angli. Ai ishte larguar nga klubi hungarez MTK Budapest për t’iu bashkuar Liverpoolit në vitin 2007 si 17-vjeçar.
Kaloi gjashtë vite te Liverpooli, por kurrë nuk bëri një ndeshje zyrtare. Gulacsi ishte huazuar në rangje më të ulëta si Hereford United, Tranmere Rovers e Hull City. Ai ishte 23-vjeçar në vitin 2013 kur iu bashkua Salzburgut, duke fituar dopietën vendore në dy stinorët e tij të parë. Gulacsi do të mbushë 30 vjet më 6 maj dhe ai shpreson se kur të vijë te ajo ditë, Leipzigu ende të jetë në luftë për titull të Bundesligë e pse jo edhe në garë në Ligën e Kampionëve.
“Do të ishte momenti më i madh në karrierën time dhe një arritje fantastike”, ka thënë Gulacsi, i pyetur se si do të ndjehej po të fitonte Bundesligën me Leipzigun. “Por, ende kemi shumë punë për të bërë”.