Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, gjatë vizitës në Frankfurt të Gjermanisë, ka takuar zëvendëspresidentin dhe njëherësh anëtarin e Bordit Ekzekutiv të Deutsche Bundesbank, Johannes Beermann.
Në takimin e zhvilluar, Mehmeti e informoi Beermannin me zhvillimet e fundit në ekonominë dhe sistemin financiar në Kosovë.
Guvernatori i Kosovës gjithashtu shprehu falënderimet më të sinqerta për bashkëpunimin dhe përkrahjen e vazhdueshme që Deutsche Bundesbank dhe Qeveria e Gjermanisë i kanë dhënë BQK-së dhe Republikës së Kosovës, në përgjithësi, me shpresën se ky bashkëpunim dhe përkrahje do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
“Dr. Johannes Beermann uroi Guvernatorin Mehmeti për përzgjedhjen në pozitën e Guvernatorit të BQK-së duke shprehur kënaqësinë lidhur me shëndetin financiar në Kosovë dhe e siguroi atë për përkrahje, dhe bashkëpunim të mëtejmë mes të dyja autoriteteve”, thuhet në komunikatën e BQK-së.