Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka prezantuar para anëtarëve të Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, pjesën e raportit të Komisionit Evropian për vitin 2020 që ndërlidhet me BQK-në.
Guvernatori Mehmeti ka thënë se sistemi financiar në Kosovë është shumë i qëndrueshëm dhe stabil, i konfirmuar në raportet e institucioneve me renome ndërkombëtare, përfshirë edhe Komisionin Evropian që ka vlerësuar pozitivisht kontributin e BQK-së në drejtim të konsolidimit të stabilitetit makroekonomik, ruajtjes së stabilitetit financiar, përmirësimit të praktikave mbikëqyrëse dhe përmirësimit të sistemit të pagesave në Republikën e Kosovës.
“Raporti thekson se lëvizja e kapitalit mbetet kryesisht e lirë në Kosovë dhe nuk ka kufizime në pronësinë e huaj ose në investimet në sektorin financiar, ndërsa nga fusha e pagesave raporti vlerëson miratimin e rregulloreve nga BQK-ja, si: Rregulloren e re për licencimin dhe mbikëqyrjen e operatorëve të sistemit të pagesave, si dhe Rregulloren për instrumentet e pagesave elektronike duke eliminuar kështu tarifat shtesë për poseduesit e kartelave bankare”.
“Gjithashtu, raporti njeh progresin shtesë që është bërë për ta zbatuar kornizën e Bazel III, në fushën e kërkesave të kapitalit, si dhe menaxhimin e rrezikut të bankave. Komisioni vlerëson po ashtu hyrjen në fuqi të Rregullores për mjaftueshmërinë e kapitalit dhe rregullores për treguesin e laverazhit. Raporti vë në pah se të gjitha këto akte janë në përputhje me kornizën Bazel III. Në të njëjtën kohë theksohet se BQK ka adoptuar standardin SNRF 9 dhe nga janari 2020 bankat kanë filluar zbatimin e këtij standardi. Sipas Komisionit Evropian, niveli i kapitalizimit të bankave vazhdoj të mbetet i qëndrueshëm 15.9% dhe është konsiderueshëm mbi raportin e kërkuar mjaftueshmërisë së kapitalit e cila është 12%”, ka theksuar Mehmeti.
Tutje ai ka folur edhe për raportin e Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2020, duke thënë se sektori financiar i rezistoi krizës Covid-19 përshkak të masave të ndërmarra nga BQK lidhur me shtyrjen e pagesave të kësteve të kredive.
“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka mirëpritur përfundimet e nxjerra në raportin e Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2020, i cili njeh angazhimin dhe masat e ndërmarra në sektorin financiar dhe po ashtu ofron rekomandime për avancime të mëtejme. Raporti thekson se sektori financiar, i mbështetur nga masat e ndërmarra nga BQK lidhur me shtyrjen e pagesave të kësteve të kredive, ka vazhduar të rritet në vitin 2020 dhe në gjysmën e parë të 2021, duke ruajtur adekuatshmërinë e kapitalit dhe nivelet e likuiditetit. Këto masa ndihmuan në përmbajtjen e ndikimit të krizës në sektorin bankar dhe mbështetën rritjen e kreditimit”, tha ai.
“Raporti i Komisionit Evropian vlerëson se ndërmjetësimi financiar ka vazhduar të rritet. Pavarësisht pandemisë, kreditimi nga sektori bankar u rrit me 7.1 % në vitin 2020, ndërsa në prill-qershor 2021 u përshpejtua në mbi 10 % nga viti në vit. Rritja e kreditimit u lehtësua nga normat e ulëta të interesit, rritja e vazhdueshme e depozitave, përmirësimi i zbatimit të kontratave dhe rritja e garantimit të kredive. Raporti potencon mos konstituimin e Bordit Drejtues të BQK-së duke ndikuar kështu në qeverisjen e Bankës Qendrore dhe në procesin e saj të vendimmarrjes. Andaj, ritheksohet kërkesa që në afat sa më të shpejtë Bordi i BQK-së të bëhet plotësisht funksional”, tha Mehmeti.
Guvernatori Mehmeti tha se janë në proces të liberalizimit të tregut bankar dhe të sigurimeve, derisa ka shtuar se roli i BQK-së është ta rrisë konkurrencën dhe stabilitetin.
Ai tutje tha se situata pandemike, sektorin bankar e ka gjetur në gjendjen të shëndoshë.
“Sistemi financiar i Kosovës është i qëndrueshëm dhe kjo konfirmohet nga institucionet më kredibile. Kriza pandemike e gjeti sektorin bankar në Kosovë me një gjendje të shëndoshë. BQK-ja që nga fillimi i pandemisë ishte pjesë e grupit ndër institucional për hartimin e masave emergjente për ta hartuar planin e rimëkëmbjes”.
“Roli si BQK-së është që ta rrisim konkurrencën dhe ta ruajmë stabilitetin. Sa i përket tarifave kompanitë e sigurimeve, përmendet se ne kemi angazhuar ekspertë të Bankës Botërore dhe kjo është çështje që do të adresohet gjatë këtij viti”.
“Një hapësirë të veçantë raporti i Komisionit Evropian i ka kushtuar zhvillimeve të lidhura me ndikimin e pandemisë në ekonominë e Kosovës, me ç‘rast thekson masat e ndërmarra nga ana e BQK-së për të ndihmuar kredimarrësit në tejkalimin e vështirësive financiare që kanë buruar si pasojë e krizës, si dhe publikimin e udhëzuesit për ristrukturimin e kredive.
KE-ja ka përshëndetur iniciativën e ndërmarrë nga Banka Qendrore për rritjen e transparencës së çmimeve të kredive konsumuese dhe zbatimit të aftësisë paguese – Solvency I. Raporti vlerëson edhe miratimin e Rregullores për riblerjen e letrave me vlerë me Bankën Qendrore (miratuar në Prill 2019), e cila mundëson riblerjen e letrave me vlerë midis bankave tregtare në tregun sekondar”, tha ai.
Ndërsa Sokol Havolli, zëvendësguvernator në BQK, tha se niveli i çmimeve për herë të parë në industrinë e sigurimeve është përcaktuar në vitin 2001.
“Niveli i çmimeve për herë të parë dhe fundit në industrinë e sigurimeve është përcaktuar në vitin 2001, dhe nëse dëmi mesatar atëherë ka qenë 400 euro tash sillet rreth mbi 1 mijë euro”.
Eman Rrahmani nga VV-ja, tha se normat e interesit të bankave janë të papërballueshme për qytetarët.
“Normat e interesit janë të larta në sektorin financiar dhe marrësit janë shtresa më e varfër që nuk kanë një marrëdhënie pune, pse BQK nuk vepron për të përmirësuar situatën në këtë sektor, si shpjegohet që në rastin e primeve të sigurimet që shkojnë direkt te kompanitë ndërsa kur është pyetje për qytetarët qëndron e shpërbërë”.
Deputeti Bedri Hamza nga PDK-ja ka kërkuar që t’i përmbahen rendit të ditës. Këtë reagim Hamza e bëri menjëherë pas pyetjes së deputetit Rrahmani.
“Nëse i përmbahemi pikës së rendit të ditë për të cilën e kemi marr materialin unë po rekomandoj që t’i përmbahem rendit të ditës në të kundërtën, ne duhet të thërrasim në raportim çdo institucion, mirëpo unë po mendoj që ne t’i përmbahem rendit të ditës”.
Hamza shtoi se mungesa e stabilitetit politik ka penguar edhe zhvillimin e reformave, derisa ka shprehur shqetësimin e moskompletimit të bordit.
“Mungesa e stabilitetit politik ka ndikuar në moszhvillimin e reformave. Unë besoj që ne duhet të fokusohemi në kompletimin e bordit dhe besoj që në një afat të shkurtër, Kuvendi ta kryejë punën e vet”.
Sa i përket automjeteve të pasiguruara, Mehmeti tha se janë duke u përpjekur që ta ulin përqindjen e tyre.
Për Kartonin e Gjelbër ai tha se katër kritere janë plotësuar, por mosanëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara e ka penguar këtë proces.
“Është në gjetje në raportin e progresit dhe ne kemi pasur takime me të gjithë ministrat e Punëve të Jashtme që të ulët përqindja e automjeteve të pasiguruara”.
“Katër kriteret janë të plotësuar dhe një kusht që e ka penguar ka qenë mosanëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara. Në Kosovë janë mbi 208 mijë automjete të pasiguruara”.
Mehmeti tregoi se kanë angazhuar ekspertë nga Banka Botërore për analizën e rritjes së çmimeve të sigurimeve.
Ai është pyetur për blerjen e një veture prej 60 mijë eurosh nga BQK-ja. Mehmeti tha se ai nuk e ka për obligim të merret me procedurat e prokurimit, derisa tha se vetura i shërben Bankës Qendrore.
“Nuk merrem unë me procedura të prokurimit, kjo është kompetencë e drejtorit të administratës. Nuk mundesh me gjetë kontratë që e kam nënshkruar unë dhe nuk dua me u marrë me këtë çështje. Merrem me të nëse shkelen procedurat e prokurimit, por e di se procesi ka shkuar shumë mirë”.
Ndërsa, Komisioni pa diskutim ka miratuar raportin për Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, i ndryshuar dhe i plotësuar me rekomandime të Komisionit funksional për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit.