Guvernatori i BQK-së priti në takim drejtoreshën e re të Bankës Botërore për Kosovë

Prishtinë | 11 Gus 2025 | 18:10 | Nga Ekonomia Online

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, së bashku me zëvendësguvernatoren znj. Shileku-Shala dhe bashkëpunëtorët e tij, ka zhvilluar një takim njoftues me drejtoreshën e re të Bankës Botërore (BB) për Kosovë, znj. Carole Megevand me bashkëpunëtorë.

Gjatë takimit, Guvernatori Ismaili e uroi znj. Megevand për detyrën e re dhe i dëshiroi suksese në avancimin e projekteve dhe reformave të Bankës Botërore në funksion të mbështetjes së ekonomisë së Kosovës.

Guvernatori Ismaili e informoi znj. Megevand për zhvillimet më të fundit të sektorit financiar, si dhe për progresin e reformave të ndërmarra nga BQK-ja për të nxitur rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe forcimin e sistemit financiar.

Diskutimet u fokusuan në zhvillimet aktuale në sektorin financiar, bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet BQK-së dhe Bankës Botërore, si dhe programet e reja të BB-së për fuqizimin e sektorit financiar, duke përfshirë asistencat teknike përkatëse të dedikuara për BQK-në.

Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Bankës Botërore, duke theksuar rëndësinë e këtij bashkëpunimi për arritjen e objektivave strategjike të BQK-së, veçanërisht në fushat e reformave ligjore dhe rregullative, digjitalizimit, kapitalizimit të sektorit financiar, rritjes së qëndrueshmërisë financiare, anëtarësimit në SEPA dhe zbatimit të agjendës së gjelbër.

Të ngjashme