Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ahmet Ismailin, i shoqëruar nga
ekipi i tij, mirëpriti në BQK një delegacion nga Programi i Partneritetit për Këshillimin dhe
Menaxhimin e Rezervave (RAMP) të Bankës Botërore për diskutime mbi strategjitë e
menaxhimit të rezervave dhe iniciativat për ngritjen e kapaciteteve.
Guvernatori Ismaili shprehu vlerësimin e sinqertë për vizitën e delegacionit të nivelit të lartë
të Bankës Botërore, e cila ndodhi vetëm gjashtë muaj pas anëtarësimit në RAMP në tetor të
vitit 2023. Që nga anëtarësimi, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës tashmë ka përfituar
dukshëm nga programi gjithëpërfshirës i RAMP-it për trajnim dhe ngritje të kapaciteteve.
Guvernatori theksoi rolin vendimtar që luan ky program në rritjen e aftësive të Bankës
Qendrore dhe sigurimin e praktikave efikase të menaxhimit të rezervave.
Për më tepër, Guvernatori Ismaili nënvizoi përkushtimin e palëkundur të BQK-së për
forcimin e Politikës së saj të Investimeve në përputhje me praktikat më të mira
ndërkombëtare. Guvernatori ritheksoi gatishmërinë e BQK-së për ta shfrytëzuar mbështetjen
e ofruar nga programet e RAMP-it për ta arritur këtë objektiv në mënyrë efektive. Duke u
përafruar me standardet më të mira, BQK-ja synon ta rrisë stabilitetin e saj financiar dhe të
kontribuojë pozitivisht në forcimin e institucionit.
Gjatë takimit, diskutimet u fokusuan edhe në progresin e arritur drejt investimeve të
përgjegjshme mjedisore, sociale dhe të qeverisjes (ESG). Guvernatori Ismaili theksoi
përkushtimin e BQK-së ndaj këtij synimi, i cili është paraqitur dukshëm në Planin Strategjik
të BQK-së. Duke integruar parimet e ESG-së në kornizën e saj të investimeve, BQK-ja
kërkon ta nxisë zhvillimin e qëndrueshëm dhe t’i respektojë standardet etike në aktivitetet e
saj të menaxhimit të rezervave.
Për më tepër, delegacioni do të kryejë një rishikim të portofolit, duke vlerësuar alokimin e
aseteve, duke rishikuar qasjet e transhimit (ndarjen në këste) (ang. “tranching”) dhe duke
diskutuar menaxhimin e likuiditetit. Për më tepër, do të ketë diskutime rreth strategjive të
indeksimit dhe praktikave krahasuese të portofolit.
Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohje për delegacionin e RAMP-it të Bankës Botërore për
njohuritë e tyre të vlefshme dhe përpjekjet bashkëpunuese në avancimin e praktikave të
menaxhimit të rezervave dhe iniciativave për ngritjen e kapaciteteve në Bankën Qendrore të
Kosovës.
Shkëmbimi i frytshëm i ideve dhe ekspertizës gjatë takimit forcon edhe më tej
partneritetin ndërmjet BQK-së dhe Grupit të Bankës Botërore, duke i hapur rrugën progresit
të vazhdueshëm dhe suksesit në arritjen e objektivave të ndërsjella..