Guvernatori Ismaili takohet me zyrtarë të lartë të Bankës Botërore, flasin për Pagesat Ndërkufitare

Prishtinë | 18 Pri 2024 | 14:55 | Nga Ekonomia Online

Guvernatori Ismaili, Zëvendësguvernatori Fusha dhe ekipi i Bankës Qendrore të Republikës
së Kosovës (BQK) u takuan me Xiaoqing Yu, Drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor,
Evropën dhe Azinë Qendrore, Paolucci, Menaxher për Vendin, Natarajan, Menaxher i
Praktikave, Pagesave dhe Përfshirjes Financiare, Guadamillas, FCI Evropë dhe Azi
Qendrore, dhe ekipi i tyre në Bankën Botërore.

Në fokus të diskutimit ishte bashkëpunimi dhe zhvillimet e fundit në avancimin e sistemit të
pagesave si pjesë e projekteve të përbashkëta ndërmjet BB-së dhe BQK-së për Modernizimin
e Sistemeve të Pagesave dhe Remitancave.

Diskutimi u përqendrua kryesisht në temat si përmbyllja e kornizës rregullatore dhe nxitja e
zhvillimit të infrastrukturës së sistemit të pagesave për të lehtësuar pagesat e shpejta vendore
dhe ndërkufitare. Për më tepër, diskutimet specifike ishin rreth përgatitjeve për aplikimin e
BQK-së për anëtarësim në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA) dhe potencialit për
avancime drejt integrimit me Sistemin Target të Pagesave të Shpejta e (TIPS) të Euro-
Sistemit.

Guvernatori Ismaili falënderoi ekipin e BB-së për mbështetjen e vazhdueshme ndaj BQK-së,
ndërsa Zëvendësguvernatori Fusha i informoi ata për përpjekjet dhe përkushtimin e Bankës
Qendrore të Republikës së Kosovës në agjendën e modernizimit të sistemeve të pagesave. U
konstatua se mbështetja e BB-së për BQK-në do të vazhdojë përmes asistencës teknike dhe
përpjekjeve për ngritjen e kapaciteteve drejt objektivave më të larta të integrimeve SEPA dhe
TIPS.
Gjithashtu, Guvernatori Ismaili mori pjesë në një aktivitet të Bankës Botërore të titulluar
“Zhbllokimi i fuqisë së Pagesave Ndërkufitare”, së bashku me Guvernatoren e Bankës
Qendrore të Malit të Zi, Znj. Radoviq, dhe Drejtorin Global të BB-së, Z. Pesme, si dhe
pjesëmarrësit e tjerë.

Gjatë diskutimit, i pari i BQK-së theksoi përkushtimin e Kosovës për arritjen e objektivit të
G20-së për uljen e kostove të dërgimit të remitancave. Ai diskutoi përpjekjet e integrimit në
SEPA që synojnë standardizimin e kornizave ligjore dhe rregullatore për të ofruar pagesa më
të shpejta, më të lehta dhe me kosto më efektive. Zhvillimet e infrastrukturës teknike, duke
përfshirë zgjidhjet e shpejta të pagesave, premtojnë rritjen e përfshirjes financiare, efikasitetin
e pagesave, formalizimin e ekonomisë dhe integrimin rajonal.

Në përfundim të diskutimeve, Guvernatori Ismaili rikonfirmoi përkushtimin e Kosovës dhe
angazhimin e saj proaktiv në nxitjen e pagesave efikase ndërkufitare, duke marrë parasysh
rëndësinë dhe përfitimet për të gjithë ekonominë nga integrimi me sistemet e pagesave të BE.

Të ngjashme