Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, i shoqëruar nga Zëvendësguvernatori Cakaj me bashkëpunëtorët e tij, gjatë takimeve vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB), ka takuar Shefin e Misionit të FMN-së për Kosovën, z. David Amaglobeli me bashkëpunëtorë.
Guvernatori Ismaili gjatë këtij takimi e informoi z. Amaglobeli për zhvillimet kryesore në sektorin financiar, zbatimin e Planit Strategjik, funksionalizimin e strukturës së re organizative dhe reformat e tjera në BQK me qëllim të ngritjes së kapaciteteve.
Po ashtu, i pari i BQK-së e informoi Shefin e Misionit të FMN-së për përmbushjen e rekomandimeve që dalin nga dy programet e FMN-së: Stand-By Arrangement (SBA) dhe Resilience and Sustainability Facility (RSF), si dhe nivelin e zbatimit te asistencave teknike.
Palët diskutuan mbi bashkëpunimin dhe përgatitjet për Misionin e ri rishikues të Artikullit IV si dhe programeve aktuale qe Republika e Kosovës ka të nënshkruara me FMN.
Në kuadër të vizitës zyrtare në Washington D.C., delegacioni i BQK-së do vazhdojë të ketë takime bilaterale me drejtuesit e FMN-së dhe BB-së si pjesë e bashkëpunimit të vazhdueshëm.