Guvernatori Ismaili zhvillon takim konsultues me anëtarin e Bordit Ekzekutiv të Bankës Qendrore Evropiane, Piero Cipollone

Prishtinë | 12 Dhj 2023 | 09:12 | Nga Ekonomia Online

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Z. Ahmet Ismaili së bashku me Zëvendësguvernatorin, Z. Dardan Fusha zhvilloi takim virtual me anëtarin e Bordit Ekzekutiv të Bankës Qendrore Evropiane, Z. Piero Cipollone, duke vijuar takimin e fundit në selinë e Bankës Qendrore Evropiane (BQE) në Frankfurt.

Temë e këtij diskutimi shqyrtimi i opsioneve dhe mundësitë e bashkëpunimit në fushën e sistemit të pagesave, me theks të veçantë mënyrën e anëtarësimi vendit tonë në skemën e pagesave SEPA dhe sistemin e pagesave të shpejta TIPS, projekt që mbështetet edhe nga BQE-ja si pjesë e Procesit të Berlinit për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Po ashtu, është diskutuar edhe për rëndësinë që ka avancimi i infrastrukturës teknike dhe kornizës rregullative, për qasje në sistemin e pagesave të Bashkimit Evropian, ku BQK-ja ka bërë përgatitje dhe ka si objektiv strategjik anëtarësimin, me përfitime shumë të mëdha si për qytetarët, bizneset, mërgatën dhe gjithë ekonominë.

Pjesë e diskutimi ishte dhe bashkëpunimi i mundshëm ndërmjet BQK-së dhe BQE-së në fushën e menaxhimit të rezervave, mbikëqyrjes së bankave sistemike, si dhe çështje që lidhen me ngritjen e kapaciteteve dhe shkëmbimi i përvojave brenda mandatit të BQE-së dhe BQK-së.

Në fund të takimit u darkordua për intensifikimin e takimeve me propozime konkrete, dhe bashkëpunimit në arritjen e qëllimeve të përbashkëta të dy institucioneve.

Kontributi i Z. Cipollone mbetet i rëndësishëm, si një mbështes i këtij procesi, i cili para se të emërohej në këtë pozicion ekzekutiv në BQE ka qenë zëvendësguvernator i Bankës Qendrore të Italisë, duke zëvendësuar kështu Z. Fabio Panetta, i cili tashmë është Guvernator i Bankës së Italisë (Banca d’Italia).

BQK po punon me përkushtim në arritjen e objektivave strategjike afatgjata, që kërkojnë angazhim të përditshëm dhe koordinim të duhur institucional dhe ndërkombëtar.

Të ngjashme