Në Shqipëri shtetasi turk Selami Simsek, i arrestuar vitin e kaluar në aeroportin “Nënë Tereza” me dokumenta false, ka kërkuar azil duke deklaruar se ndjehet i pasigurt të kthehet në Turqi.
Në një letër drejtuar autoriteteve të kufirit, të shkruar në turqisht dhe shqip, ai shpjegon se në Turqi atë e konsiderojnë pjesë të lëvizjes Gulen e për pasojë “atje mund t’i nënshtrohet veprimeve keqtrajtuese”, shkruhet në kërkesën e tij.
Përfaqësues të ambasadës turke ishin të pranishëm në sallën e gjyqit në seancën e parë që u mbajt në Gjykatën e Tiranës, raporton Zëri i Amerikës.
Turku Simsek, duket se ka zgjedhur këtë rrugë për të shmangur fatin që pati bashkëkombasi i tij Harun Çelik. Të dy u arrestuan në të njëjtën ditë dhe për të njëjtin motiv. Ndaj Çelik, autoritetet shqiptare vepruan me urgjencë duke e dëbuar atë nga Shqipëria, sapo doli nga burgu, e pa i lënë asnjë mundësi që të bënte ankim, siç parashikojnë vetë ligjet shqiptare.
Ndonëse dhe Çelik tentoi të kërkonte azil, madje dhe në momentet e fundit para largimit nga Shqipëria, autoritetet pohuan se nuk ka pasur një kërkesë me shkrim për azil, ndërkohë që legjislacioni shqiptar parashikon se “Kërkesë për azil” është çdo deklaratë e të huajit ose personit pa shtetësi, e shprehur në çfarëdolloj mënyre e në çfarëdo kohe”.