Florent Hadërgjonaj e realizoi dëshirën e tij duke iu bashkuar Përfaqësueses së Zvicrës. Emri i futbollistit kosovar figuron në listën e të ftuarve të “Helvetikëve” për miqësoren me Bjellorusinë. 22-vjeçari e kishte lënë Kosovën për më shumë se një vit në pritje, duke mos dhënë përgjigje përfundimtare. Mbrojtësi i djathtë ishte në pritje të “Helvetikëve” dhe tash e mori atë që deshi. Zemra më shumë i rrahu për Zvicrën
Kosova e priti më shumë se një vit Florent Hadërgjonajn dhe në fund e mori goditjen e rëndë nga ai, shkruan sot gazeta Zëri.
Futbollisti kosovar i ka thënë “Po” përfundimisht Përfaqësueses së Zvicrës dhe emri i tij figuron në mesin e lojtarëve të ftuar nga trajneri Vladimir Petkoviç për ndeshjen miqësore të 1 qershorit ndaj Bjellorusisë.
Mediet zvicerane i janë gëzuar ardhjes së Hadërgjonajt, të cilin e shohin si një pasardhës ideal të veteranit Stephan Lichtsteiner.
Hadërgjonaj, gjak i ri te Zvicra
E përditshmja zvicerane “Blick” ua ka kushtuar një shkrim prurjeve të reja të Zvicrës, duke përfshirë këtu edhe Hadërgjonajt.
Ai së bashku me Gregor Kobel, Ulisses Garcia, Anto Grgic e Djibril Sow janë futbollistët e rinj që u ftuan për herë të parë nga trajneri Petkoviç.
“Trajneri i Zvicrës ka prezantuar një gjak të ri në ekip, me ardhjen e lojtarëve si Hadërgjonaj”, shkruan gjiganti mediatik zviceran.
Gjithnjë sipas medieve zvicerane, trajneri Petkoviç do t’i provojë lojtarët e rinj të ftuar dhe më pas do të vendosë nëse do t’i grumbullojë ata në mesin e 23 futbollistëve të ftuar për ndeshjen e 9 qershorit ndaj Ishujve Faro, e vlefshme për kualifikimet e “Botërorit 2018”.
Bunjaki shpreson ende
Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaki, nuk është dorëzuar ende përfundimisht.
Ai ka kontaktuar kohë pas kohe me lojtarin, i cili nuk i ka dhënë asnjëherë përgjigje përfundimtare, duke e lënë të presë.
Sidoqoftë, trajneri kosovar shpreson ende që mbrojtësi i djathtë ta zgjedhë përfundimisht Kosovën, duke shpresuar se futbollisti i është bashkuar vetëm përkohësisht ekipit “Helvetik”.
“Jam i informuar nga Florenti se kjo zgjedhje është vetëm për lojë miqësore. Dhe, deri në ndeshjen kundër Kroacisë do ta tregojë zgjedhjen finale që shpresoj të jetë Kosova.
Hadërgjonaj ishte arsyetuar vazhdimisht se është i fokusuar tek ekipi i tij, Ingolstadt, dhe se do të vendoste për ekipin kombëtar vetëm pas përfundim të sezonit në Bundesliga.
Mirëpo, ai ia kishte shtyrë vendimin trajnerit Bunjaki për në shtator. Mirëpo, tash u zbulua e vërteta.
Sipas të gjitha gjasave, Florenti edhe në të ardhmen do ta veshë fanellën e Zvicrës e jo atë të Kosovës.
Krahas Hadërgjonajt, Zvicra për miqësoren e qershorit i ka ftuar edhe futbollistët tjerë shqiptarë si: Valon Behramin, Admir Mehmedin e Xherdan Shaqirin.
Zviceranët do të përgatiten në tri faza, dy të parat nga 24 deri më 26 maj dhe e dyta nga 30 maji deri më 30 qershor në Neuchatel, ku do të zhvillohet edhe miqësorja me bjellorusët.
Dhe, pas kësaj trajneri Petkoviç do t’i zgjedhë 23 lojtarët që do të marrin pjesë në udhëtimin në Torshavn, ku do të grumbullohen edhe lojtarët që mometalisht kanë angazhime me ekipet e tyre.